Tiranë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Departamenti i Shtetit përgëzon Republikën e Shqipërisë për bashkimin me marrëveshjet ”Artemis”.
Shqipëria është vendi i 73-të që nënshkruan këto marrëveshje deri më sot, duke konfirmuar angazhimin e saj për eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës.
Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, nënshkroi marrëveshjet në emër të Republikës së Shqipërisë më 21 shtator 2026.
Zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, dhe Zëvendësndihmëssekretari i Departamentit të Shtetit, Connor Tomlinson, ishin të pranishëm dhe përshëndetën nënshkrimin gjatë një ceremonie në selinë qendrore të NASA-s “Mary W. Jackson” në Uashington, D.C.
Shqipëria renditet ndër aleatët më të palëkundur të Shteteve të Bashkuara.
Ajo vijon të harmonizojë ngushtë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara si në prioritetet dypalëshe, ashtu edhe në ato globale.
Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera i themeluan marrëveshjet ”Artemis” në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, për të shërbyer si një grup parimesh praktike që udhëzojnë eksplorimin e përgjegjshëm të hapësirës.
Shqipëria u bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe kombeve të tjera në konfirmimin e parimeve të marrëveshjeve për aktivitete të qëndrueshme civile në hapësirë.
Departamenti i Shtetit dhe NASA udhëheqin përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për promovimin dhe zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
