Përmes një reagimi publik është rikthyer në fokus debati për të drejtat politike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kritikuar narrativën shumëvjeçare të ndërtuar nën moton “Jo ndryshimit të kufijve”.
Sipas reagimit, kjo qasje politike ka ndikuar në mohimin e Referendumit të vitit 1992, relativizimin e luftës së UÇPMB-së dhe heshtjen ndaj sakrificës së dëshmorëve shqiptarë. Në vend të mbrojtjes së vullnetit politik të shqiptarëve në këto tre komuna, thuhet se gradualisht është pranuar një tkurrje politike dhe kombëtare e kauzës shqiptare.
Në reagim kritikohet edhe përdorimi i termit “Luginë”, i cilësuar si një përkufizim kryesisht gjeografik dhe politikisht i paqartë, duke theksuar se kjo ka sjellë lënien jashtë të Medvegjës nga diskutimet dhe përfaqësimi institucional.
“Pa Medvegjën, kauza jonë mbetet e paplotë”, thuhet në reagim, ku kërkohet rikthimi i qartësisë politike dhe kombëtare në diskursin publik.
Më tej theksohet se ndryshimi i kufijve nuk duhet të interpretohet domosdoshmërisht si ndarje e Kosovës apo shkëmbim territoresh, por si një çështje që historikisht në Ballkan është trajtuar mbi bazën e realiteteve politike, etnike dhe të drejtës për vetëvendosje.
Në reagim rikujtohet se Referendumi i vitit 1992 përfaqësonte shprehjen demokratike të vullnetit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ndërsa lufta e UÇPMB-së cilësohet si pasojë e mohimit të të drejtave themelore të shqiptarëve në këtë rajon.
Po ashtu, nënvizohet se dëshmorët ranë për dinjitet kombëtar dhe të drejta politike, e jo për “një term gjeografik pa identitet politik”.
Në fund kërkohet respektim i Referendumit të vitit 1992, i luftës së UÇPMB-së dhe i sakrificës së dëshmorëve, si bazë për ndërtimin e një platforme serioze dhe të qëndrueshme për të ardhmen politike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
https://www.facebook.com/share/p/1FM6uMHjDN/
