Prishtinë, 20 gusht, Zhurnal.mk – Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të takohet më me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar takimet e deritanishme si “takime farse”, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se këto takime, sipas saj, zvarrisin procedura dhe çojnë Kosovën në zgjedhje të reja.
“Ne nuk kemi nevojë më që të takohemi me Albin Kurtin, sepse këto takime është parë mirëfilli që janë takime farse. Sepse po të kishte vullnet Albin Kurti, e para do ta konstituonte Kuvendin e Kosovës ashtu siç e obligon rregullorja dhe Kushtetuta, dhe e dyta do të sillej në përpikmëri, në harmoni të plotë me rregullat dhe ligjet e Republikës”, ka thënë ajo.
“Pra, ne nuk do të takohemi me Albin Kurtin, sepse këto takime tashmë është parë që janë takime që i shërbejnë vetëm zvarritjes së procedurave për ta çuar Kosovën, për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Përkundrazi, nuk janë takime që kanë prodhuar diçka, prandaj ne jemi të qartë, nuk do të takohemi më. Por ftesa, kërkesa, thirrja jonë është që të kthehemi tek konstituimi. Të na mundësohet ta kryejmë detyrën tonë, të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe të mos bllokohemi nga, po e them, arroganca e Albin Kurtit”, tha ajo.
Deliu tha se thirrjet e SHBA-së janë si pasojë e një shqetësimi të madh sepse Kosova, duke qenë defunksionale po mbetet e izoluar dhe larg partneritetit.
Deliu tha se s’i përjashtojnë as aksionet tjera në nivel vendi me qytetarët e Republikës.
“Prandaj, unë pres masovizim të protestës sonë. Ditëve në vazhdim ju do të jeni dëshmitarë që kategori të shumta shoqërore do të jenë bashkë me ne për të demonstruar edhe një herë nevojën e funksionalitetit të institucioneve”, tha ajo.
