Deputetët e BDI-së nënshkruajnë propozim-rezolutën: Provimi i Jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe

Nga admin
1,445 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 mars, Zhurnal.mk – Deputetët e Grupit Parlamentar të BDI-së kanë nënshkruar dhe mbështetur propozim-rezolutën për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, bëri të ditur studenti dhe njëri nga inicuesit e peticionit për mbajtjen e këtij provimi në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi.

Ademi njoftoi se kjo nismë synon zbatimin e plotë të ligjit dhe garantimin e të drejtës që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Ai u bëri thirrje edhe deputetëve të tjerë që t’i bashkohen kësaj rezolute.

“Ftojmë edhe deputetët e tjerë që nuk iu përgjigjën ftesës sonë t’i bashkohen kësaj nisme. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i gjuhës shqipe nuk është çështje politike, por detyrim ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve. Gjuha shqipe është e drejtë e garantuar dhe duhet të zbatohet”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në Facebook.

Ndërkohë, mbështetje për këtë propozim-rezolutë kanë shprehur edhe deputetët Rijad Shaqiri dhe Halil Snopçe, të cilët theksuan se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duhet të zbatohet në praktikë dhe se çdo formë diskriminimi ndaj gjuhës shqipe është e papranueshme.

Sipas tyre, zbatimi i plotë i ligjit është i domosdoshëm për të siguruar barazi reale të gjuhës shqipe në institucionet e vendit.

Ndryshe, ditë më parë, propozim-rezoluta është mbështetur edhe nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër