Dhjetë persona, përfshirë edhe autoren e dyshuar, kanë humbur jetën pasi një sulmuese hapi zjarr në një shkollë të mesme në qytetin Tumbler Ridge, në provincën British Columbia të Kanadasë.
Sipas Policisë Mbretërore Kanadeze, gjashtë persona u gjetën të vdekur brenda shkollës, dy të tjerë në një banesë të lidhur me incidentin, ndërsa një person vdiq gjatë rrugës për në spital. Të paktën dy persona janë shtruar me lëndime serioze, ndërsa deri në 25 të tjerë janë trajtuar për lëndime më të lehta.
Autorja e dyshuar u gjet gjithashtu e vdekur, ndërsa policia tha se nuk ka të dyshuar të tjerë dhe as kërcënim të vazhdueshëm. Ajo ishte përshkruar si femër, e veshur me fustan dhe me flokë kafe.
Nxënësit u mbajtën të mbyllur për më shumë se dy orë, ndërsa prindërit u mblodhën në një qendër komunitare duke pritur lajme për fëmijët e tyre.
Zyrtarët thanë se policia mbërriti në vendngjarje brenda dy minutash. Shkolla do të qëndrojë e mbyllur për pjesën tjetër të javës dhe do të ofrohet këshillim për të prekurit nga kjo tragjedi.
Kryeministri kanadez Mark Carney shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse.

