Dhoma e Avokatisë kundër rregullores së re të GJKKO-së: Kufizohet puna jonë

Nga D V
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshtoi sot rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ndalon përdorimin e telefonave celularë nga avokatët gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, së bashku me drejtuesin e Dhomës së Avokatëve të Tiranës, Klodian Skënderi, kanë depozituar pranë Gjykatës së Posaçme një kërkesë për rishikimin e rregullores.

Pas dorëzimit të kërkesës, ata deklaruan për mediat se kufizimi cenon ushtrimin e profesionit dhe të drejtat e mbrojtjes.

Haxhia tha se kufizimi nuk lidhet vetëm me përdorimin e telefonit për komunikim, por edhe me funksionin e tij si mjet pune për avokatët.

“Kufizon haptas të drejtën e mbrojtjes, për të ushtruar profesionin e avokatit, të paktën prisnim konsultim me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë. Rregullorja në 3 nene kufizon përdorimin e celularit në sallën e gjyqit, jo në aspektin për të folur, por për të punuar. Gjë që bie ndesh me stadin e jetës së të gjithë shoqërive në mbarë botën. Celulari është një studio lëvizëse e jona, e kemi mjet pune”, tha Haxhia.

Edhe avokati Klodian Skënderi e cilësoi kufizimin të pajustifikuar.

“Është një masë ekstreme. Nuk gjejmë logjikë apo arsye përse duhet të vendoset ky kufizim për avokatët. Telefoni është mjet pune për ne avokatët. Zhvillohen seanca 6-orëshe, avokati ka nevojë të komunikojë qoftë edhe me familjarët. Kufizim që bie ndesh me të drejtën për të ushtruar profesionin”, tha Skënderi.

Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme ka hyrë në fuqi këtë të martë dhe përveç avokatëve, është kundërshtuar edhe nga shoqatat e gazetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër