Shkup, 18 shtator Zhurnal.mk – Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot pati takim pune me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova dhe drejtorin e Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski, ku u shqyrtua realizimi rrjedhës i Buxhetit, me fokus të veçantë në arkëtimin e të ardhurave dhe lëvizjet në kategoritë individuale të tatimeve.
Gjatë takimit u konstatua se realizimi i Buxhetit lëviz në kuadër të dinamikës së planifikuar dhe se në këtë moment nuk ka devijime të theksuara as në anën e të ardhurave as në anën shpenzimeve.
Ministria e Financave, në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, vazhdon të ndjekë me kujdes lëvizjen dhe realizimin e të ardhurave buxhetore.
“Buxheti po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar. Së bashku me DAP-in dhe Drejtorinë Doganore, i kemi ndjekur në detaje të ardhurat dhe të gjitha lëvizjet që mund të kenë ndikim në realizimin e tyre. Në këtë moment nuk ka devijime domethënëse nga ajo që ishte planifikuar, por mbetemi të kujdesshëm dhe do të reagojmë në kohë nëse situata do të na imponojnë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Të dhënat për realizimin e Buxhetit deri në muajin gusht tregojnë se të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 230.6 miliardë denarë, përkatësisht 60.77% e të ardhurave të planifikuara, ku bazuar në këto të dhëna shënohet rritje prej 8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të ardhurat tatimore në tetë muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 131.5 miliardë denarësh, që paraqet rritje prej 8.2% në bazë vjetore. Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore tatimore – të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të larta për 19.9%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10.9%, të ardhurat ga TVSH-ja për 10.6%, ndërsa të ardhurat nga detyrimet e importit shënojnë rritje prej 9.7%.
Te akcizat është evidentuar devijim i caktuar, i cili lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga derivatet e naftës. Ecuria e të ardhurave në këtë kategori do të vazhdojë të ndjekjet me vëmendje.
Në anën e shpenzimeve, në periudhën janar–gusht janë realizuar 268.9 miliardë denarë, përkatësisht 63.15% e shpenzimeve të planifikuara.
Në takim u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Drejtorisë së Doganave, si institucione me rol kyç në realizimin e të ardhurave buxhetore. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojë ndjekja e rregullt e realizimit të Buxhetit dhe i zhvillimeve ekonomike mbi bazën e të cilave do të merren vendime për përshtatje eventuale të shpenzimeve buxhetore.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së Buxhetit, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së qytetarëve dhe sektorit të ekonomisë.
