Dimri po afron, a është Shkupi gati? Ismaili: EMV-ja është gati për sezonin e ri të ngrohjes

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 tetor ZHurnal.mk – Ndërmarrja Publike EMV – Furnizimi me energji termike, është gati për sezonin e ri të ngrohjes, i cili nis zyrtarisht më 15 tetor, por furnizimi mund të fillojë edhe më herët nëse kushtet e kërkojnë. Drejtori i EMV-së Furnizim me Energji Termike, Ali Ismaili, siguron se janë ndërmarrë masat e nevojshme që ngrohja të mbërrijë te konsumatorët si çdo vit. Megjithatë, ai nuk përjashton asnjë skenar, duke theksuar se furnizimi me energji ndikohet nga shumë faktorë të jashtëm. Sa i përket çështjeve të brendshme në koordinim me EMV – Distribuimi, drejtori thotë se janë ndërmarrë masat e nevojshme që infrastruktura e shpërndarjes të jetë funksionale dhe të mundësojë furnizim të rregullt me energji termike për konsumatorët gjatë gjithë sezonit të ngrohjes.

“Ekipet tona të EMV – Distribucionit gjatë periudhës së kaluar kanë bërë intervenimet e nevojshme për sanimin e defekteve, të cilat janë raportuar nga konsumatorët. Furnizimi do të jetë i sigurt dhe i vazhdueshëm, mund të ketë probleme sigurisht gjatë periudhës së ngrohjes, por janë ekipet tona gjithmonë në terren dhe mundohen që sa më shpejt t’i sanojnë dhe t’i riparojnë ato probleme.”, – deklaroi drejtori i EMV – Furnizim me Energji Termike, Ali Ismaili.

Sa i përket kostos, për një banesë prej 80 metrash katrorë, të izoluar mirë, fatura mujore për ngrohje qendrore mund të arrijë rreth 2.000 denarë, thotë Ismaili. Ai vlerëson se ngrohja qendrore mbetet një alternativë ekonomike dhe komode për amvisëritë, pasi ofron furnizim të centralizuar dhe faturim të shpërndarë përgjatë 12 muajve të vitit.

“Ngrohja qendrore paraqet një ndër opsionet më ekonomike të ngrohjes. Përparësi e veçantë e ngrohjes qendrore është se është më praktik dhe ofron komoditet të mirë për qytetarët, nuk ka nevojë të mirëmbahet dhe nuk ka nevojë të sigurohen energjencë plotësues për ngrohje.”, – theksoi drejtori i EMV – Furnizimi me Energji Termike, Ali Ismaili.

Drejtori Ismaili thekson gjithashtu se, në rastet kur konsumatori ka paguar më shumë sesa ka shpenzuar realisht, diferenca mund t’i kthehet sipas procedurave përkatëse. Pavarësisht pasigurive që lidhen me situatën gjeopolitike, nga EMV – Furnizimi thonë se janë të përgatitur për sezonin e ri dhe se synimi mbetet sigurimi i furnizimit të rregullt me ngrohje për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër