Beograd/Tiranë, 13 Mars, Zhurnal.mk – Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiç edhe mbrëmë u ankua për një siç ai e quajti “aleancë ushtarake” midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, dhe e cila siç thotë ai që nga viti i kaluar qenka e formuar kundër Serbisë, shkruan Zhurnal.mk.
“Natyrisht se kam frikë,” tha Vuçiçi një një intervistë mbrëmë për televizionin shtetëror RTS.
Para një viti të tre vendet e patën nënshkruar një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, sipas së cilës të tre vendet do të synojnë forcimin e aftësive të tyre në sektorin e mbrojtjes, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak midis tyre.
Që nga atëherë, Vuçiçi po e përdorë këtë deklaratë të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës vazhdimisht si një lloj argumenti akuzash e sulmesh ndaj të tre vendeve, dhe sidomos për arsyen pse Kosova, si vend jo anëtarë i NATO’s, është pjesë e kësaj deklarate.
“Ajo aleancë ushtarake është e drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë. Nuk ekziston asnjë arsye tjetër pse është formuar kjo aleancë ushtarake,” tha tutje Krryetari i Serbisë.
Në çdo paraqitje publike tash Vuçiçi e përdorë “frikën” nga Shqipëria, Kroacia e Kosova, si ndër çështjet në krye të listës së fushatës jo-zyrtare zgjedhore té tij, për të cilat ai thotë se mund të mbahen në fund të këti viti.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç për të treguar muskujt e ushtrisë së Serbisë si kundër-përgjegje ndaj kësaj “aleance ushtarake” siç e quan ai, dhe për ta hequr këtë “frikë” në të njëjtën kohë për qyetarët e Serbisë dhe përkrahësit e tij, ai u krenua se Serbia së fundi ka blerë raketa balistike kineze CM-400, të cilat siç tha ai, tashmë janë duke u integruar në aeroplanët gjuajtës MiG-29 (prodhim rus) të ushtrisë së Serbisë
“Janë shumë të shtrenjta, ne kemi pasur një zbritje (çmimi).. dhe janë raketa shumë efikase,” tha ai për raketat ajër-tokë të prodhimit kinez.
Që nga ardhja e Vuçiçit dhe partisë së tij SNS në pushtet në vitin 2012, Serbia ka përshpejtuar pajisjen e ushtrisë së saj me arsenal të madh armësh moderne, kryesisht nga Kina, Riusia e Belorusia, por edhe me blerje nga Israeli, Emiratet e Bashkuara Arabe, e poashtu edhe me marrëveshjen me Francën për 12 aeroplan gjuajtës Rafale, shkruan Zhurnal.mk.
