„Do ta kërkoj drejtësinë deri në fund“, dëshmia rrëqethëse e nënës së vajzës së rrahur nga Manastiri

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Manastir, 20 nëntor Zhurnal.mk – Beti Angellkovska, nëna e vajzës nga Manastiri, e cila sipas pretendimeve të saj ka qenë viktimë e dhunës fizike, deklaroi se nuk do të heqë dorë nga lufta për drejtësi për të bijën. Ajo pretendon se ekzistojnë incizime video, fotografi dhe prova të tjera që dëshmojnë dhunën që ka përjetuar vajza.

Angellkovska shprehu revoltën e saj për faktin se, siç theksoi, partneri i vajzës së saj tashmë ka ngritur padi kundër saj, duke e akuzuar se ajo e ka sulmuar fizikisht.

“Ka incizime, video, materiale, fotografi. Unë personalisht i shikoj fotografitë dhe më besoni, gjithçka më përsëritet sërish para syve”, deklaroi Angellkovska, duke përshkruar dhimbjen që po përjeton si nënë.

Ajo tregoi se e ka rritur e vetme vajzën e saj për 21 vjet dhe se nuk do të lejojë që dhuna t’ia shkatërrojë të ardhmen. Sipas dëshmisë së saj, vajza në një moment kishte arritur të arratisej përmes dritares së banesës, pas së cilës kishte kërkuar ndihmë në stacionin policor.

Nëna paralajmëroi se do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi për këtë rast, ndërsa njëkohësisht u bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave që përballen me dhunë të mos heshtin dhe të kërkojnë mbrojtje.

“U bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave, nëse përballen me dhunë, të mos durojnë, por ta denoncojnë. Çdo ditë e pyesja vajzën time: ‘Pse duron, pse?’. Por më në fund ajo vendosi të reagojë dhe tani unë do ta kërkoj drejtësinë deri në fund”, porositi Angellkovska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër