Dogana e Kosovës ka konfiskuar 25 për qind të mjeteve monetare të padeklaruara, të zbuluara gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është evidentuar gjatë kontrolleve rutinore në hyrje të Republikës së Kosovës, kur zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore.
Dyshimet janë ngritur pasi automjeti është paraqitur në pikën kufitare me shpejtësi të lartë. Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që i nënshtroheshin deklarimit.
Megjithatë, pas një analize të rrezikut, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të detajuar të automjetit, ku kanë gjetur mjete monetare që tejkalonin kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh dhe që nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe rregullat për deklarimin e mjeteve monetare në kufi, Dogana ka ndërmarrë masat e parapara me ligj.
“Me këtë rast është konfiskuar 25 për qind e shumës së mjeteve monetare të padeklaruara, ndërsa për pjesën tjetër është kërkuar dokumentacioni dhe dëshmitë që vërtetojnë origjinën e ligjshme të mjeteve”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Sipas autoriteteve, rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe procedurat do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të shqyrtimit administrativ dhe ligjor.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, në para të gatshme apo mjete të tjera monetare të bartshme, është i obliguar t’i deklarojë ato te autoritetet doganore.
“Mosdeklarimi përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe sjell pasoja ligjore, përfshirë konfiskimin e pjesshëm të mjeteve monetare dhe zhvillimin e procedurave të mëtejshme për verifikimin e origjinës së tyre”, thuhet në njoftim.
Dogana thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme, duke kontribuar në parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar ndërkufitar.
https://www.facebook.com/share/p/1BhwQijqkU/
