Tiranë, 21 gusht, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli, duke e zëvendësuar “arrestin në shtëpi” me masën “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Vendimi u shpall këtë të premte nga gjyqtarja Alma Kodraliu, pas kërkesës së Gjylit për shuarjen e masës së sigurisë. Ai lirohet nga arresti në shtëpi pas rreth nëntë muajsh.
I njëjti vendim është marrë edhe për ish-drejtorin e KESH, Erald Elezi. Edhe për të, masa e “arrestit në shtëpi” është zëvendësuar me “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Elezi po hetohet nga SPAK në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa Gentian Gjyli ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH.
Të dy janë nën hetim për dyshimet lidhur me veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.
