Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Drejtoria e Doganave njoftoi se ka paraqitur kallëzim penal kundër një mjeku dhe një infermiereje, të cilët tentuan të kontrabandonin gjithsej 199 flakonë me botoks në vlerë prej 615 mijë denarësh, përmes një dërgese postare të deklaruar si mostra kozmetike me vlerë totale prej 80 dollarësh.
Kundër personave, siç thuhet, është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike Shkup për veprat penale kontrabandë dhe mashtrim doganor, të dënueshme në përputhje me Kodin Penal.
Rasti u zbulua nga zyrtarët doganorë të Filialës Doganore Shkup 1 gjatë një kontrolli të detajuar të një dërgese postare të paraqitur për doganim importi, për të cilën ishte bashkëngjitur një faturë ku ishin deklaruar 10 mostra kozmetike. Gjatë hapjes së dërgesës, doganierët zbuluan 199 flakonë me botoks, të përdorur në mjekësinë estetike, të cilët nuk ishin të deklaruar në faturë.
Rasti iu dorëzua Departamentit të Hetimeve, i cili ndërmori veprime të posaçme parahetimore, në kuadër të të cilave, me urdhër të prokurorit publik, u krye kontroll në tre lokacione. Në parahetim u konstatua se i dyshuari i parë, i punësuar si mjek në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”, kishte porositur 199 flakonë botoks në vlerë prej 615 mijë denarësh nga një kompani në Republikën e Koresë dhe ishte marrë vesh që në faturë të deklaroheshin si 10 produkte kozmetike me vlerë totale prej 80 dollarësh. Më pas, nga e dyshuara e dytë, e punësuar si infermiere në të njëjtën qendër klinike, kishte kërkuar të figurojë si pranues i mallit. Ajo e ndihmoi në kryerjen e veprave penale duke pranuar që porosia të mbërrijë në emrin dhe adresën e saj dhe faturën ta paguajë nga llogaria e saj transaksionale.
Nga Drejtoria e Doganave apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në procedurat e importit se çdo tentativë kriminale do të sanksionohet me ashpërsinë më të madhe.
Importi i botoksit është i rregulluar rreptësisht dhe i nënshtrohet lejeve të posaçme nga institucionet kompetente, dhe çdo mashtrim i lidhur me importin e këtij apo të ngjashëm produkti paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve, theksojnë nga Doganat, duke shtuar se do të vazhdojnë me politikën e tolerancës zero ndaj të gjithë atyre që tentojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin.
