Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Zyrtarët doganorë nga Dogana e Shkupit në një ditë zbuluan 12 migrantë ilegalë me prejardhje nga Egjipti dhe Sudani, gjatë kontrollit të mallrave të paraqitura për doganim importi në dy pika të ndryshme.
Në terminalin doganor në Tetovë, zyrtarët doganorë, edhe para se të kryenin kontrollin e kamionit, dyshuan për praninë e mundshme të migrantëve ilegalë, për çka thirrën asistencë nga MPB, pas së cilës në pjesën e ngarkesës u zbuluan pesë migrantë ilegalë.
Vetëm pas dy orësh, në terminalin doganor Shkup 3, gjatë kontrollit të mallrave të paraqitura për doganim importi, u zbuluan shtatë migrantë ilegalë.
Migrantët iu dorëzuan Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Sipas të dhënave të fundit të Frontex-it, migracioni ilegal përmes rrugës ballkanike perëndimore shënon rënie prej 42 për qind. Këto shifra tregojnë se bashkëpunimi jep rezultate, por përgjegjësia jonë është të mbetemi vigjilentë dhe të jemi të përgatitur për sfidat e reja”, thonë nga Dogana.
