Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Policia kufitare në pikën kufitare të Dellçevës ka arrestuar një shtetas 38-vjeçar të Rumanisë, pasi gjatë kontrollit të bagazhit të tij është gjetur drogë. Rasti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në hyrje të Maqedonisë së Veriut, ndërsa substancat e gjetura janë sekuestruar nga policia.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 29 tetor, në orën 23:30, në pikën kufitare të Dellçevës, zyrtarët policorë të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Lindje kanë privuar nga liria shtetasin rumun P.L.O., 38 vjeç.
Gjatë kontrollit të bagazhit të tij, policia ka gjetur dy kavanoza me marihuanë, si dhe LSD. Substancat e gjetura janë sekuestruar dhe do të jenë objekt i procedurave të mëtejshme.
Pas arrestimit, shtetasi rumun është ndaluar në stacionin policor për procedim të mëtejshëm. Për rastin është njoftuar edhe prokurori publik kompetent.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj 38-vjeçarit do të parashtrohet kallëzim përkatës.
