Në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, drama e mijëra njerëzve që u larguan në kërkim të lirisë dhe një jete më të mirë u rikthye përmes artit në qytetin e Durrësit.
Me poezinë, teatrin dhe dokumentimin historik të ndërthurura në një performancë të vetme, “Hartë Memece për të Mbyturit” solli në vëmendje plagën që vijon të mbetet pjesë e historisë sonë.
Shkrimtari dhe poeti Arian Leka prezantoi në shëtitoren “Taulantia”, në qytetin e tij të lindjes, performancën teatrore dhe instalative “Hartë Memece për të Mbyturit”.
“Për herë të parë vihet në skenë të hapur në këtë qytet. Vepra ka pasur fat ndoshta më shumë se autori se ka pasur shumë përurime të tjera skenike qoftë në Tiranë qoftë në Europë. Por këtu është emocioni i njerëzve. Këtu janë historitë e njerëzve që e kanë përjetuar vetë emigrimin dhe pasojat dhe nuk është si të tregosh një histori të huaj, por është si të flasim me veten”, tha Arian Leka.
Me regji të Driada Dervishit, vepra u konceptua si një homazh për viktimat e eksodit shqiptar, por edhe si një reflektim mbi arsyet që vazhdojnë t’i shtyjnë shqiptarët të largohen nga vendi.
“Vështirësia më e madhe ka qenë të përballonin të gjithë ato histori të vërteta të mbledhura prej një periudhë vitesh goxha të madhe nga autori Arjan Leka. Histori të cilët na sjellin një pjesë të dhimbshme të historisë moderne të Shqipërisë dhe ajo që e bën akoma më të vështirë është pikërisht që kjo ky fenomen vijon ë të vazhdojë me ritme të forta. ndoshta jo me ato tragjedi aq të mëdha të fillimeve të eksodit shqiptar, por sigurisht dhimbja e ndarjes vazhdon të jetë aty”, tha Driada Dervishi.
E përkthyer në 12 gjuhë dhe e interpretuar më parë në skena teatrore të Berlinit, Këlnit, Helsinkit dhe Vjenës, performanca u rikthye në Durrës duke bashkuar aktorë profesionistë, poetë, gazetarë dhe qytetarë, në një rrëfim të përbashkët që synon të thyejë kufijtë mes artit dhe përjetimit njerëzor.
“Ne si gazetarë do të sjellim kronikat e kohës. Pikërisht ato ngjarjet shumë të trishta në fakt të cilat në një pjesë u transmetuan në mënyrë të drejtpërdrejtë. Janë qindra jetë të cilat humbën përgjatë detit jonë dhe Adriatik dhe vijnë pikërisht përmes kësaj shfaqje për t’i dhënë zë të gjithë atyre të cilët humbën jetën në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë drejt lirisë dhe familjet e tyre mbetën me një boshllëk shumë të madh”, tha Geri Emiri.
Përmes një gjuhe artistike që ndërthur poezinë, dokumentin dhe reflektimin filozofik, “Hartë Memece për të Mbyturit” e ktheu detin në simbol të shpresës, humbjes dhe sakrificës, duke sjellë në kujtesë historitë e atyre që u nisën drejt një jete më të mirë, por që nuk arritën kurrë në breg.
