Shkup, 11 tetor, Zhurnal.mk – Dy zyrtarë policorë, një maqedonas dhe një boshnjak, dyshohet se janë larguar nga Maqedonia e Veriut pas zbulimit të rastit të rrahjes brutale të dy shqiptarëve. Informacionet për largimin e tyre ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet kompetente.
Ndërkohë, avokati i policëve të tjerë të përfshirë në këtë rast i ka kërkuar Prokurorisë që të garantojë sigurinë e klientëve të tij, duke pretenduar se ata kanë marrë kërcënime me vdekje.
Sipas informacioneve paraprake, kërcënimet e pretenduara ndaj sigurisë personale mund të kenë qenë një nga arsyet që dy zyrtarët policorë dyshohet se janë larguar nga vendi.
Nëse largimi dhe braktisja e detyrës konfirmohen, pritet që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të ndërmarrë masa përkatëse ndaj dy policëve, përfshirë edhe mundësinë e lëshimit të fletarresteve, në varësi të procedurave dhe vendimeve të organeve kompetente.
Deri më tani, rrethanat e largimit të dy zyrtarëve policorë dhe pretendimet për kërcënime mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht. Pritet që institucionet përkatëse të japin sqarime lidhur me rastin dhe masat eventuale që do të ndërmerren.
