Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Tre persona nga Shkupi janë arrestuar gjatë aksionit policor “Pastruesi”, nën dyshimin se kanë kërcënuar dhe shantazhuar një banor të Dellçevës, duke i kërkuar 10.000 euro në këmbim të mospublikimit të materialeve komprometuese.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, të arrestuarit janë Z.B. (61), M.B. (35) dhe B. (43), të gjithë nga Shkupi.
Aksioni është realizuar nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, në bashkëpunim me policinë e Shtipit, Dellçevës dhe Shkupit, gjatë të cilit janë kryer bastisje në dy lokacione.
Sipas denoncimit, disa persona nga Shkupi e kishin kërcënuar viktimën me jetë dhe me dhunë fizike, duke kërkuar prej tij 10 mijë euro. Në rast se nuk paguante shumën, ata dyshohet se e kishin kërcënuar me publikimin e materialeve komprometuese.
Gjatë bastisjeve, policia ka zbuluar edhe një pistoletë ilegale të tipit “M57”, të kalibrit 7,62 milimetra. Nga verifikimet është konstatuar se arma ishte vjedhur gjatë një vjedhjeje të rëndë në territorin e Shkupit.
Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore Publike në Dellçevë për veprat penale “shantazh” dhe “rrezikim i sigurisë”, sipas neneve 259 dhe 144, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga MPB-ja njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
