E ndërtuar para 15 viteve, ende nuk është lëshuar në përdorim! Salla e sportit në Zajaz, Jovanovski premton zgjidhje

Nga Xh M
1,211 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kërçovë, 15 mars – Qeveritë ndërrohen, kryetarë të rinj emërohen, por problemi me sallën e sportit në Shkollën Fillore “Rushit Zajazi” mbetet i vjetër. Tanimë disa herë kemi raportuar për fenomenin e sallës së sportit në oborrin e shkollës, e cila është ndërtuar para 15 vitesh dhe për të nuk figuron asnjë dokument dhe si objekt nuk figuron as në kadastër. Një storie labirint që prej 7 vitesh hulumtimesh, nuk mund askush t’i bjerë në fije as kush e ndërtoi, si e ndërtoi dhe pse nuk u hap asnjëherë për përdorim. Për këtë situatë tani ju drejtuam kryetarit aktual të Komunës së Kërçovës, Aleksandër Jovanovski.

“Jam i gatshëm, me çdo çmim, të gjejmë zgjidhje. Unë kam biseduar me faktorë të ndryshëm, siç thoni, duke filluar nga projektuesit. Projektin e kërkova këtu me sektorin tonë për arsim, për urbanizëm kemi pasur disa takime. Kam biseduar edhe me drejtorin e shkollës, me përfaqësues nga Zajazi dhe jam i vendosur që të gjejmë mënyrë dhe zgjidhje që të legalizohet dhe t’i jepet shkollës”, theksoi Aleksandër Jovanovski – kryetar i Komunës së Kërçovës.

Drejtori i shkollës, Naser Ismaili, thotë se nuk i ka humbur shpresat për këtë sallë, megjithatë pohon se pa u pajisur me dokumente nuk do ta shfrytëzojë sallën.

“Biseduam për sallën e sportit dhe na premtoi kryetari i Komunës që për një periudhë të shkurtër do të mundohet që të hapet dhe do të rregullojnë edhe dokumentacionin e sallës së sportit”, theksoi Naser ismaili – drejtor i shkollës “Rexhë Rushit Zajazi”.

Kjo sallë është ndërtuar në vitin 2009/10, është e rregulluar por qëndron e mbyllur për gati dy dekada dhe deri më tani askush nuk i del zot këtij ndërtimi dhe dokumentacioni për këtë sallë nuk ndodhet askund.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër