Shkup, 15 mars – Dr. Elizabeta Oboçki, kirurge plastike dhe rekonstruktive në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjikale Shën Naum Ohridski, theksoi se trajtimi i djegieve kërkon reagim të menjëhershëm dhe të koordinuar, i cili shpesh mund të shpëtojë jetë. Ajo foli në panelin “Përgjigjja kombëtare dhe ndërkombëtare shëndetësore dhe trajtimi akut i djegieve”, në kuadër të konferencës ndërkombëtare për pasojat e zjarrit në Koçan.
Sipas saj, mëngjesin e 16 marsit ekipi i Klinikës u mobilizua menjëherë pas thirrjes nga shefi i ekipit kujdestar. Pesë kirurgë plastikë, tre specializantë dhe një ekip i plotë anesteziologësh u përgatitën për pranimin e pacientëve, ndërsa sallat operative dhe njësitë e kujdesit intensiv u vunë në gatishmëri të plotë.
Brenda një ore e gjysmë në klinikë u pranuan 30 pacientë, ku u krye triagim i shpejtë. 18 pacientë u vendosën në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa 11 të tjerë u trajtuan në repartet e kirurgjisë plastike, pediatrike dhe urologjisë.
Dr. Oboçki theksoi se pacientët nuk kishin vetëm djegie, por edhe lëndime nga thithja e tymit dhe intoksikim, gjë që kërkonte trajtim të menjëhershëm dhe multidisiplinar. Pacientët, të moshës nga 17 deri në 47 vjeç, kishin djegie nga 7 deri në 40 për qind të sipërfaqes së trupit, ndërsa në disa raste u kryen procedura urgjente si fasciotomia dhe esharotomia.
Ajo falënderoi ekipin e gjerë të mjekëve – traumatologë, neurokirurgë, radiologë, internistë, oftalmologë, pulmonologë, toksikologë dhe psikiatër – për reagimin e shpejtë dhe bashkëpunimin profesional. Mirënjohje shprehu edhe për reagimin e shpejtë të institucioneve dhe për ndihmën nga vendet fqinje dhe shtetet evropiane që pranuan pacientët më kritikë në qendra të specializuara për trajtimin e djegieve.
Në dy javët pas ngjarjes, klinika shërbeu si qendër për trajtimin e 11 pacientëve të tjerë, ndërsa një ekip mjekësor nga Izraeli ndihmoi në trajtimin me metoda enzimatike. Mjekët kryen gjithashtu eksizione të hershme dhe transplantime të lëkurës në pjesët funksionale të trupit, si pëllëmbët dhe duart.
Dr. Oboçki falënderoi edhe Instituti për Shëndet Publik për analizat mikrobiologjike të rregullta që ndihmuan në rikuperimin më të shpejtë të pacientëve.
“Trajtimi i djegieve kërkon moment të shpejtë dhe vendime të menjëhershme që mund të shpëtojnë jetë. Puna ekipore, reagimi i shpejtë i institucioneve dhe profesionalizmi shpëtuan jetë të reja dhe ëndrra për të ardhmen”, përfundoi ajo.
