Editorial – A duhet të shkohet në zgjedhje – nëse po, kush mund të fitojë!

Nga R.ZH
521 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – Gjatë gjithë ditës së djeshme, në media është diskutuar nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamenatare. Kryeministri Mickoski sërish ka thënë se nëse opozita kërkon, partia e tij mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por, edhe pse sipas të gjitha gjasave mund të ketë zgjedhje të parakohshme, atëherë shtrohet pyetja nëse vitin tjetër do të shkohej në zgjedhje, kush mund të fitoj sipas anketave të fundit, qoftë në bllokun maqedonas, ashtu dhe në atë shqiptar. Mbi të gjithë pyetja legjitime është se a duhet të kemi zgjedhje të parakohshme, pse bëjmë shpenzime të panevojshme dhe kur do të plotësohen prioeitet e qeverisë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Anketat i nxjerrin fituese partitë në pushtet

Sipas sondazheve dhe tendencave politike të bëra gjatë vitit 2026, partia në pushtet VMRO-DPMNE ka shanset më të mëdha për të fituar nëse mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Kjo parti gëzon një mbështetje të qëndrueshme, e cila është pothuajse tri herë më e lartë se ajo e partisë më të madhe opozitare maqedonase, LSDM.

Blloku qeverisës (VMRO-DPMNE, VLEN, ZNAM ka një pozicion dominues, dhe kryeministri Mickoski ka vlerësimin personal më të lartë mes liderëve politikë në vend. Nga ana tjetër, partnerët e koalicionit (VLEN dhe ZNAM) kanë një trupë relativisht të qëndrueshme votuesish, gjë që do të forconte pozicionin e tyre pas zgjedhjeve.
Blloku opozitar i partive maqedonase (LSDM dhe Levica) përballet me nivele historikisht të ulëta të mbështetjes dhe sfida të brendshme partiake. Nga ana tjetër, duket se partia “E Majta” (Levica) shënon një rritje të lehtë për shkak të retorikës së ashpër anti-sistem, duke tërhequr një pjesë të votuesve të pakënaqur, megjithatë në zgjedhjet e fundit lokale kjo parti dështoi.
Te blloku politik shqiptar, VLEN si pjesë e qeverisë ka një kapacitet të shtuar për mobilizimin e votave në terren dhe kjo u pa edhe me zgjedhjet lokale, kur komunat kryesore i fitoi kjo parti, ndërsa BDI, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, ende mundohet të mbajë një avantazh, por e ka të vështirë ta marrë veten pas humbjeve në zgjedhjet e fundit lokale.

Sipas sondazheve të fundit të opinionit publik të realizuara në mesin e vitit 2026 (siç është hulumtimi i agjencisë “Market Vision”, partia në pushtet VMRO-DPMNE udhëheq bindshëm me një rrejtig prej rreth 20,5% deri në 25% të të anketuarve, ndërsa partitë dhe koalicionet opozitare shënojnë mbështetje dukshëm më të ulët. VLEN ka një variacion prej 4,4% – 5,1% , LSDM: 4,9% – 6,2%, BDI: 4,8% – 5,0%, E Majta (Levica): 2,9% – 3,1% dhe ZNAM: 1,5% – 2,1%. Por, sondazhet vazhdimisht janë të kontestuara, kështu që matja më e mirë do të bëhet në ditën e zgjedhjeve, shkruan “Zhurnal.mk”.

A ka nevojë për zgjedhje të parakohshme!

Nëse Maqedonia e Veriut ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare apo jo, është një temë që vazhdimisht po diskutohet në opinionin politik.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe shumica qeverisëse theksojnë se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, pasi qeveria synon të përmbushë plotësisht mandatin legjitim të marrë nga qytetarët deri në vitin 2028. Por, nga ana tjetër vazhdon të provokojë duke thënë se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Gjithashtu, organizimi i zgjedhjeve kushton miliona euro nga buxheti i shtetit. Një cikël i vetëm i zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut kushton mesatarisht midis 8 dhe 10 milionë euro, ndërsa nëse organizohen zgjedhje të dyfishta, së bashku me ato presidenciale, shuma totale nga buxheti i shtetit arrin në pothuajse 17 milionë euro.

Qytetarët konsiderojnë se këto para janë më të nevojshme për projekte, infrastrukturë dhe përmirësim të standardit të jetesës, në vend të cikleve të shpeshta zgjedhore. Por, partitë opozitare si LSDM dhe BDI e kritikojnë drejtimin në të cilin po lëviz shteti dhe shpesh kërkojnë zgjedhje si një mekanizëm që qytetarët të shprehin sërish mendimin e tyre.

Megjithatë, deklaratat e fundit të kryeministrit dëshmojnë se edhe pse nuk ka një vendim zyrtar për zgjedhje të parakohshme parlamenatre, partitë politike në terren tashmë fuqishëm po mobilizohen dhe funksionojnë në një atmosferë sikur të jenë në para-fushatë zgjedhore.

Nga aspekti kushtetues-juridik, institucionet dhe Qeveria funksionojnë me një shumicë të qëndrueshme në Kuvend, kështu që vendimi për zgjedhje të parakohshme do të ishte ekskluzivisht rezultat i një marrëveshjeje politike ndërmjet partive ose i ndonjë krize të mundshme institucionale në të ardhmen, shkruan “Zhurnal.mk”.

Maqedoninë e Veriut e presin sfida të mëdha për reforma – s’ka nevojë për zgjedhje!

Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të përballet me sfidat dhe përgjegjësitë të cilat i ka marrë për t’i kryer në këtë mandate, siç janë eurointegrimet, ekonomia, sundimi i ligjit dhe stabiliteti i brendshëm.

Sfida më e madhe politike mbetet përmbushja e kornizës negociuese, e cila kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë për të vazhduar negociatat me BE-në. Qeveria po përpjeket të sigurojë një mbështetje në BE për këto ndryshime, por duket se ka rezistencë nga partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, sfidë për Maqedoninë e Veriut mbetet stabilizimi i borxhit publik dhe menaxhimi i deficitit buxhetor pa rrezikuar investimet kapitale dhe infrastrukturën.Ndërkaq, përballja me pasojat e inflacionit, rritja e pagave dhe pensioneve në përputhje me mundësitë reale ekonomike po ndikojnë direkt në standardin jetësor të qytetarëve.

Qeveria duhet të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor, sepse ka humbur besimi i qytetarëve te gjykatat dhe prokuroria të cilat ndodhen në 2 për qind.

Një sfidë e veçantë është edhe përmbushja e premtimeve për “tolerancë zero” ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e pushtetit dhe zbardhja e skandaleve të mëdha financiare, gjë që shumë vështirë po ndodhë.

Prandaj, më mirë Qeveria të fokusohet në zgjidhjen e problemeve dhe prioriteteve të cilat ia ka dhënë vetes se sa në shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke harxhuar para, kohë dhe duke dalë sëish fitues koalicioni qeveritar, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër