Shkup, 11 prill, Zhurnal.mk – Borxhi shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2024 arriti në 8,298.0 milionë euro, ose 53.8% e (Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që paraqet një rritje prej 4.1 pikë përqind krahasuar me vitin e kaluar.
Me këtë nivel të borxhit shtetëror, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet një vend me borxh mesatar që është më i ulët se niveli mesatar i borxhit të 27 vendeve të BE-së, i cili në fund të vitit 2024 arriti në 81.0%, analizon “Zhurnal.mk” nga të dhënat që ka publikuar Ministria e financave, që është përgjegjëse për përcjelljen e borxhit të vendit.
Borxhi publik është 9.6 miliardë euro
Nga ana tjetër, borxhi publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2024 arriti në 9,619.4 milionë euro, ose 62.4% të PBB-së, që paraqet një rritje prej 4.3 pikë përqindjeje krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Dallimi i borxhit shtetëror dhe atij publik është se në borxhin publik nga maji i vitit 2019, përfshihet edhe borxhi i pagarantuar i ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare të themeluara nga shteti ose nga komunat. Borxhi i pagarantuar është ulur me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar.
Borxhi publik i jashtëm arrin në 5,825.1 milionë euro, ndërsa borxhi publik i brendshëm arrin në 3,794.3 milionë euro.
Borxhi publik i jashtëm në fund të vitit 2024 arrin në 4,617.7 milionë euro dhe krahasuar me vitin 2023 është rritur me 446.7 milionë euro, ndërsa borxhi publik i brendshëm arrin në 3,680.3 milionë euro, që është një rritje prej 595.2 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar.
Nëse borxhi publik prej 9,619.4 milionë euro ndahet për 1.8 milionë banorë, kjo i bie që ;do shtetas i Maqedonisë së Veriut ka borxh nga 5.344 euro, shkruan “Zhurnal.mk”.
Borxhi publik e tejkaloi limit në fund të vtit 2024!
Nga perspektiva e strukturës valutore të borxhit shtetëror, në fund të vitit 2024, pjesën dominuese e zë borxhi i denominuar në euro, i cili përbën 61.4% të portofolit total dhe ulet me 4.2 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023.
Borxhi në monedhë vendase në të njëjtën periudhë rritet me 4.2 pikë përqindjeje, pra nga 29.1% në vitin 2023 në 33.3% në fund të vitit 2024. Borxhi me normë interesi fikse në strukturën e interesit të borxhit shtetëror rritet me 3.6% pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023, dhe në fund të vitit 2024 është 77.5%, që është kryesisht rezultat i huamarrjes për nevojat buxhetore nga Banka Hungareze e Eksport-Importit me një kredi në shumën prej 500 milionë eurosh me normë interesi fikse.
Lidhur me zbatimin e kufizimeve të përcaktuara në Strategjinë e Rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik për vitet 2024-2026 (me perspektivë deri në vitin 2028), mund të konkludohet se ai është brenda kuadrit të “Strategjisë së Menaxhimit të Borxhit Publik për vitet 2024-2026 (me perspektivë deri në vitin 2028)”, niveli maksimal i borxhit publik u përcaktua në 60% të PBB-së në afat të mesëm dhe të gjatë, dhe niveli maksimal i borxhit publik të garantuar u përcaktua gjithashtu në 15% të PBB-së.
Borxhi publik në fund të vitit 2024 arriti në 62.4% të PBB-së, duke tejkaluar me 2.4% pikë përqindjeje kufizimet e përcaktuara në “Strategjinë e Rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik për vitet 2024-2026 (me perspektivë deri në vitin 2028)”.
Nga ana tjetër, borxhi i garantuar në fund të vitit 2024 arriti në 8.2% të PBB-së dhe është brenda kufijve të përcaktuar në “Strategjinë e Rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik për vitet 2024-2026 (me perspektivë deri në vitin 2028)”.
Për më tepër, në përputhje me limitin për strukturën valutore të borxhit shtetëror, borxhi në euro në portofolin e borxhit në valutë të huaj duhet të përfaqësohet me të paktën 80%. Që nga 31 dhjetori 2024, pjesa e borxhit në euro ishte 91.6%, që është në përputhje me limitin e vendosur.
Zbatimi i limitit të normës së interesit ka qenë gjithashtu i suksesshëm. Konkretisht, me “Strategjinë e Rishikuar për Menaxhimin e Borxhit Publik për vitet 2024-2026 (me perspektivë deri në vitin 2028)” u vendos një kufi për strukturën e normës së interesit të borxhit shtetëror, sipas të cilit borxhi me normë fikse interesi duhet të përfaqësohet me të paktën 60% në portofolin total të borxhit, dhe në fund të vitit 2024 borxhi me normë fikse interesi merr pjesë me 77.5% në strukturën e borxhit shtetëror, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në vitin 2024 u morën borxh 1.041 miliardë euro!
Në përputhje me objektivat për përcaktimin e nivelit dhe strukturës optimale të portofolit të borxhit publik, me “Strategjinë e Rishikuar për Menaxhimin e Borxhit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitet 2024-2026 (me perspektivë deri në vitin 2028)” u përcaktuan edhe kufij afatshkurtër që vlejnë vetëm për vitin 2024. Kështu, kufiri maksimal afatshkurtër për huamarrjen neto (të brendshme dhe të jashtme) në bazë të borxhit shtetëror në vitin 2024 u vendos në 1,100 milionë euro.
Gjatë vitit, u realizuan huamarrje neto në shumën prej 1,041.8 milionë eurosh, që do të thotë se huamarrja neto për vitin 2024 është nën limitin maksimal të parashikuar në Strategjinë e Rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitet 2024-2026 (me perspektivë deri në vitin 2028).
Të gjitha detyrimet në bazë të borxhit shtetëror që u skaduan në vitin 2024 u shërbyen rregullisht dhe në kohë nga Ministria e Financave, si dhe nga mbajtësit e tjerë të borxhit publik. Një total prej 933.1 milionë eurosh u shpenzuan për shlyerjen e detyrimeve në bazë të borxhit shtetëror për vitin 2024, nga të cilat 641.9 milionë euro ishin për shlyerjen e kryegjësë dhe 291.2 milionë euro për shlyerjen e interesit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ku mori borxh Maqedonia e Veriut?
Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2024, ose më saktësisht në 18.01.2024, nënshkroi Marrëveshje të Huasë me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore për të financuar Projektin e Dytë të Përmirësimit të Shërbimeve Sociale.
Shuma e kësaj huamarrje ishte 27,5 milionë euro, norma e interesit isshte sipas EURIBOR gjashtëmujor me një diferencë të ndryshueshme. Periudha e shlyerjes ishte për 11 vjet duke përfshirë një periudhë mospagimi prej 3 vjetësh, ndërsa metoda e shlyerjes është çdo gjashtë muaj.
Gjithashtu më 08.10.2024, u nënshkrua Marrëveshja e Kredisë me Bankën Hungareze të Eksport-Importit, një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar për financim buxhetor dhe financim për qëllime të përgjithshme.
Shuma e huamarrjes ishte 500 milionë euro, me norma fikse të interesit prej 3.25% dhe me një periudhë të ripagimit prej 15 viteve duke përfshirë një periudhë mospagimi prej 3 vjetësh.
Vetëm dy javë më vonë, më 20.12.2024, u nënshkrua Marrëveshja e dytë e Huasë me Bankën Hungareze të Eksport-Importit.
Shuma sërish ishte 500 milionë euro dhe norma e interesit fikse ishte në 3.25%, ndërkaq periudha e shlyerjes është 15 vjet duke përfshirë një periudhë mospagimi prej 3 vjetësh.
Raporti i publikuar është për vititn 2024 dhe të dhënat për vititn 2025 ende nuk janë publikuar. Duhet pasur parasysh se Maqedonia e Veriut në vititn 2025 ka nënshkruar një Marrëveshje për partneritet strategjik me Britaninë e Madhe që do të mundësojë një cikël investimesh prej 6 miliardë eurosh në infrastrukturë, hekurudha, transport dhe kujdes shëndetësor. Në Raportin e ri do të pasqyrohet edhe ky borxh, i cili pritet ta rritë dukshëm borxhin e Maqedonisë së Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
