Shkup, 19 gusht, Zhurnal.mk – “Bota serbe” po merr kontrollin e mediave në gjuhën maqedonase. Ky paralajmërim vjen së fundmi nga opozita LSDM, por nëse kjo është e vërtetë çfarë do të thotë për Maqedoninë e Veriut dhe si do të ndikojë në krijimin e opinionit më të gjerë! Mediat, sidomos ata në gjuhën maqedonase nuk kanë ndonjë pavarësi financiare dhe kjo i bën ata të varura nga konglomerate më të mëdha mediatike, e që kryesisht janë me ndikim serb, shkruan “Zhurnal.mk”.
Media serbe do të blejnë media në gjuhën maqedonase
Nga partia opozitare LSDM në një konferencën për media u njoftua një temë tepër rëndësishme, siç e quan opozita “operacioni për errësirën mediatike që do të ndodhë në Maqedoni nën patronazhin dhe regjinë direkte të Vuçiqit”.
Sipas Andrej Zhernovskit, në Serbi është përfunduar shitja e mediave të Adria Neës Netëork tek grupi investues Alpac Capital. Në këtë grup mediatik janë N1, Nova, Radar, Forbes Serbia dhe Danas. Ndërkaq, Alpac Capital, konsiderohet bashkëpunëtor, këshilltar dhe mik i Viktor Orbanit. Në vitin 2022 Alpac Capital mori shumicën e aksioneve në Euroneës. Ky është model që tashmë zbatohet në Serbi dhe po zbatohet edhe tek ne, pasi nuk është rastësi që kompania hungareze 4iG mori licencën për operatorin e tretë mobil në Maqedoninë e Veriut.
Opozita akuzon se po realizohet hyrja dhe zgjerimi i mediave nga ‘bota serbe’, të afërta me pushtetin e Vuçiqit edhe atë një nga planet është hyrja përmes grupit ALO në hapësirën televizive në Maqedoninë e Veriut, me opsionin e marrjes së pronësisë së Nasha TV dhe hyrjen e Euronews, shkruan “Zhurnal.mk”.
Evropa e shqetësuar me ndikimin serb në Maqedoninë e Veriut
Raporti nga Parlamenti Evropian, paralajmëron për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
Parlamenti Evropian shpreh shqetësimin e saj në lidhje me të ashtuquajturin projekt ‘bota serbe’ dhe se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept PE dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë të krijojnë një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.
Maqedonia duhet të ruaj kredibilitetin e procesit të integrimit evropian dhe duhet të vazhdojë të tregojë angazhim ndaj integrimit evropian dhe përputhshmëri me politikat e BE-së.
Por, Raporti i PE-së ngriti çështje të vështira siç janë futja sistematike e Maqedonisë së Veriut në “botën serbe” për të mbetur jashtë asaj evropiane dhe hapjen e dosjeve të ish shërbimeve jugosllave.
Vlen të përmendet se në Shkup ishte prezent edhe Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të ashtuquajturës Republika Sërpska, i cili festoi festën e nacionale serbe “Shën Sava”. Ai drejtoi porosi kundër Bashkimit Evropian, ndërsa ishte me ftesë të ish-zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq, shkruan “Zhurnal.mk”.
Cili është qëllimi i këtyre transfereve politike?
Është e qartë se ndikimi i mediave serbe në tregun e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm për profit. Vendi ynë është i vogël që të ketë përfitime të mëdha nga marketingu ose shikueshmëria. Mbi të gjitha blerja e kanaleve maqedonase nga mediat serbe është pikërisht për të pasur ndikim në krijimin e opinion më të gjerë rreth Serbisë dhe politikave të saj.
E ashtu quajtura “bota serbe” në Maqedoninë e Veriut ka ndikim të madh qoftë në sferën e mediave, telefonisë, bankave dhe shumë sektorëve tjerë. Pikërisht ky ishte edhe një nga shqetësimet e Brukselit se Maqedonia e Veriut po bie nën ndikimin e Serbisë.
Nga ana tjetër, kjo gjë i konvenon pushtetit në Maqedoninë e Veriut sepse do ta ketë më të lehtë të kontrollojë publikun në vend, pa dhënë shumë llogari për veprimet e tyre.
Qëllimi është i qartë – qytetarët të marrin vetëm një të vërtetë, atë që do të serviret si e vetmja. Për fat të keq, kjo konsiderohet një errësirë mediatike, jetë ‘demokratike’ pa media të lira, pa kritikë dhe pa të vërtetën.
Sidomos partitë shqiptare duhet të kenë fjalën e tyre në këto çështje me interes strategjik, sepse më mirë të parandalohet një rrezik, se sa pastaj të bëhen përpjekje të largohen rrënjët e lëshuara, shkruan “Zhurnal.mk”.
