Klubeve të futbollit të grave në Sydney u është ndaluar të dorëzojnë ndeshjet kundër ekipeve që kanë lojtare transgjinore në shenjë proteste. Klubet dyshohet se kërcënohen me gjoba nëse refuzojnë të luajnë kundër ekipit Flying Bats, i cili shkaktoi polemika në vitin 2024 pasi përfundoi sezonin pa humbje.
Ekipi Flying Bats, i cili përfshinte pesë lojtare transgjinore, fitoi titullin e kampionatit në vitin 2024 pa asnjë humbje. Dominimi i tyre, gjatë të cilit shënuan 65 gola dhe pësuan vetëm katër, shkaktoi zemërim në publikun sportiv.
Prezantuesi i radios Ben Fordham zbuloi se gjashtë nga fitoret e ekipit erdhën me anë të dorëzimit të ndeshjes, duke përfshirë dy takime gjysmëfinale që i çuan ata direkt në finale. Rasti tërhoqi aq shumë vëmendje sa autorja e Harry Potter, J.K. Roëling, e njohur si një kritike e zëshme e lëvizjes transgjinore, komentoi mbi të.
Marrëveshje kundër dorëzimit të ndeshjeve
Këtë sezon, Flying Bats po garojnë në Superligën e sapoformuar të Shoqatës së Futbollit të Rrethinave Veriore dhe Fordham ka raportuar se ekipeve kundërshtare u është kërkuar të nënshkruajnë një marrëveshje për të mos lejuar dorëzimin e ndeshje kundër tyre.
“Federata i detyroi të gjithë lojtarët të nënshkruajnë marrëveshjen”, tha Fordham, duke cituar një informator anonim.
“Të gjithë ata që duan të luajnë në Superligë, e cila është niveli më i lartë i garës, duhej të nënshkruanin individualisht marrëveshje që deklaronin se ekipet nuk do të lejonin dorëzimin e ndeshjeve kundër Flying Bats, një klub që ka lojtare femra të lindura si meshkuj”, shtoi burimi.
Denoncuesi sugjeroi gjithashtu se një klub mund të jetë tërhequr nga Superliga në shenjë proteste. “Hornsby Heights ishin në divizionin e parë të femrave vitin e kaluar, por jo këtë vit. Kjo mund të lidhet ose jo me kushtin e nënshkrimit të një marrëveshjeje për mosparaqitje”, tha ai.
Qëndrimi i klubit: Ne krenohemi me përfshirjen
Në faqen e tyre zyrtare të ekipit, Flying Bats deklarojnë se janë “klubi më i madh i futbollit të grave LGBTQIA+ në botë”.
“Si klub, Flying Bats FC është fuqimisht i përkushtuar ndaj përfshirjes dhe ne krenohemi që ofrojmë një mjedis të sigurt, të drejtë dhe respektues”, ka thënë presidentja e klubit, Jennifer Peden për Daily Mail Australia.
“Ne promovojmë një komunitet që mbështet lojtarët, zyrtarët dhe tifozët tanë LGBTQIA+, dhe nxjerrim në pah përfitimet e rëndësishme fizike, sociale dhe mendore që sjell sporti, veçanërisht për anëtarët e margjinalizuar të komunitetit LGBTQIA+. Ne jemi një klub që i vlerëson lojtarët e tij transgjinorë në mënyrë të barabartë”.
Fillimi i sezonit me sukses të përzier
Jeta në Superligë nuk ka filluar mirë për Flying Bats. Në xhiron e parë të vitit ata barazuan 1-1 me North Sydney United, e më pas humbën 8-1 ndaj Lindfield dhe 3-1 ndaj North Sydney United.
