Elezi: 22 parti politike konfirmuan pjesëmarrjen në zgjedhje, 9 parti dhe 3 koalicione mospjesmarrjen

Nga D. V.
387 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 8 maj, Zhurnal.mk – Në mesnatë ka përfunduar afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.

Deri në përfundim të afatit KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe 3 koalicione, të përbëra nga 9 parti politike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Ekonomia Online ka treguar se cilat parti kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

“Më 7 maj, në orën 24:00, është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Këto obligime kanë vlejtur vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës. Deri në përfundim të afatit (1 maj – 7 maj 2026) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe 3 koalicione, të përbëra nga 9 parti politike”, ka thënë Elezi.

“Partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ka treguar se cilat parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.

“Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”, ka thënë Elezi.

Partitë politike që kanë njoftuar formimin e koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.

Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër