„Do të doja që shoqëria dhe njerëzit e afërt ta kuptonin se…”
„Problemet e shëndetit mendor janë njësoj si të gjitha problemet e tjera shëndetësore”.
„Është e vështirë të jetosh me depresion”.
„Sado i/e qëndrueshëm të jem apo të dukem, brenda meje asgjë nuk ka ndryshuar”.
„Unë kam një sëmundje”.
„Një gjë që do të doja të ndryshonte është…”
„Të jem i/e shëndetshëm/e dhe normal/e”.
„Që të tjerët të më kuptojnë”.
„Që sëmundjet mendore të pranohen”.
Këto janë vetëm disa nga dëshmitë e pacientëve të Klinikës Universitare të Psikiatrisë, të cilat janë ndarë me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, më 10 tetor. Këtë vit, kjo ditë shënohet nën moton „Përvoja personale: zëra të vërtetë, ndryshime të vërteta”.
„U kërkuam pacientëve tanë që, përmes mesazheve anonime, të përshkruajnë ndjenjat, përballjen e tyre dhe dëshirat, me qëllim që zëri i tyre të arrijë te publiku, të nxisë mirëkuptim më të madh dhe të tregojë se pas çdo diagnoze qëndron një njeri me historinë, nevojat dhe shpresat e veta”, thonë nga klinika.
Fushata, të cilën Klinika Universitare e Psikiatrisë do ta vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, synon të theksojë nevojën që njerëzit që jetojnë ose kanë jetuar me vështirësi të shëndetit mendor jo vetëm të dëgjohen, por edhe që përvojat e tyre të njihen si një formë e rëndësishme e dijes dhe përvojës njerëzore.
Në një kohë kur depresioni, ankthi dhe vështirësitë e tjera të shëndetit mendor janë në rritje, nga klinika vlerësojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të luftohet stigma dhe të përcillet mesazhi se kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie.
Drejtoresha e Klinikës Universitare të Psikiatrisë, prof. dr. Slavica Arsova, thotë se shumë shpesh vetë pacientët që kanë nevojë për ndihmë psikiatrike dhe psikologjike mund të ndihmojnë jo vetëm veten, por edhe të tjerët.
„Në këtë mënyrë përcillet mesazhi se nuk je vetëm dhe nuk je i vetmi. Shpesh, njerëzit që vuajnë nga një problem i çfarëdo natyre, qoftë fizik apo psikologjik, fillimisht ndiejnë frikë dhe pyesin veten nëse kjo po u ndodh vetëm atyre, nëse janë të vetmit në botë që përballen me vështirësi të tilla. Prandaj, është shumë e rëndësishme të dëgjosh dikë që ka kaluar të njëjtën përvojë ose ka një rrugëtim jetësor të ngjashëm”, thotë prof. dr. Arsova.
Ajo shton se qëllimi i punonjësve shëndetësorë është të mos i stigmatizojnë njerëzit dhe të mos u krijojnë ndjesinë se janë të ndryshëm nga të tjerët.
„Të gjithë jemi të ndryshëm, si për nga karakteristikat tona, ashtu edhe për nga gjendja jonë psikologjike, por kjo nuk na bën më pak të vlefshëm se të tjerët. Çdo njeri, gjatë jetës së tij, mund të gjendet në një situatë kur ka nevojë të kërkojë ndihmë, sepse thjesht nuk mund t’i përballojmë të gjitha gjërat vetë. Kjo nuk është turp, përkundrazi, është shenjë force dhe pjekurie”, thekson prof. dr. Arsova.
Pikërisht për këtë arsye, në këtë ditë, nga klinika përcjellin mesazhin se duhet t’u jepet zë atyre që nuk dëgjohen, sepse janë njerëz që meritojnë respekt, mirëkuptim dhe mbështetje.
Çdo njeri meriton të dëgjohet, të shihet, të kuptohet, të vlerësohet dhe të respektohet, si dhe të marrë ndihmën e duhur kur ka nevojë për të.
„Është e vështirë të jetosh me depresion” – pacientët e Klinikës së Psikiatrisë me mesazhe për opinionin
14
