Europa në kërkim të punonjësve shëndetësorë

Nga Xh M
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 22 shkurt – Profesioni i infermierit po bëhet gjithnjë e më pak i preferuar në Bashkimin Europian, duke rrezikuar mbulimin e sistemit shëndetësor në vendet e Europës.

Sipas një raporti të OBSH-së, në Europë ka 7.2 milionë infermierë. Por deri në vitin 2030, brenda 4 viteve, kontinentit më të vjetër në botë do t’i mungojnë 1 milion punonjës të shërbimit shëndetësor.

Ndërsa Shqipëria, për sa i përket infermierëve, konsiderohet një vend që ka një numër të konsiderueshëm punonjësish në këtë fushë, megjithatë ka ende mungesa në zonat e thella. Ajo që është më shqetësuese është fakti se gjatë një viti rreth 800 infermierë kërkojnë vërtetime për t’u larguar jashtë vendit.

Aktualisht, në sistemin shëndetësor shqiptar janë 27 mijë e 500 infermierë, ose 545 infermierë për 100 mijë banorë, shumë poshtë mesatares së vendeve të BE-së, që është 931 për 100 mijë banorë.

E teksa çdo vit afro 1 mijë persona punësohen përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, 80 për qind e tyre duan të largohen jashtë vendit për një pagë më të mirë. Vetë shtetet e BE-së, për plotësimin e vakuumeve në sistemin e tyre shëndetësor, i kanë hedhur sytë te vendet e tjera, duke përfshirë edhe Ballkanin.

Burime për Tv Klan bëjnë me dije se vetëm vitin e kaluar janë kërkuar 866 vërtetime për t’u larguar jashtë vendit. Aktualisht, nevojat në Shqipëri mbeten më të larta në zonat e thella malore të Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës.

Sipas OBSH-së, infermierët përbëjnë 56% të punonjësve të sistemit shëndetësor dhe kjo lëvizje e tyre do të sjellë rreziqe për pacientët, si edhe më shumë stres mes stafit shëndetësor.

Për këtë arsye, OBSH ka hartuar dokumentin e parë për rajonin europian, duke u bazuar te siguria dhe mbështetja financiare, për të rritur numrin e tyre në shëndetësi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër