Euroskepticizmi në rritje te të rinjtë – shumë prej tyre planifikojnë emigrim

Nga B.M
457 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 mars, Zhurnal.mk – Ngecja në procesin eurointegrues ka ndikuar që te qytetarët, e sidomos te të rinjtë, të rritet euroskepticizmi dhe njëkohësisht të shtohen planet për emigrim drejt vendeve perëndimore. Studentë të anketuar nga TVM2 shprehen se, për shkak të jetës që e konsiderojnë jodinjitoze, po mendojnë të largohen nga vendi në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

“Iu bëj apel politikanëve dhe përgjegjësve për procesin eurointegrues që të angazhohen maksimalisht që vendi ynë të bëhet sa më shpejt anëtar i Bashkimit Evropian. Një përqindje shumë e madhe e të rinjve po emigron dhe kjo do të vazhdojë, duke sjellë pasoja për vendin”, u shpreh një student.

Të rinjtë theksojnë se mungesa e perspektivës po i shtyn drejt largimit. “Kam ëndrra të studioj në Itali. Për Maqedoninë, nuk e di, nuk kam shpresa”, tha një qytetare, ndërsa një tjetër shtoi: “Për të ardhmen tonë është më mirë të integrohemi jashtë, pasi atje ka të ardhura më të mira”.

Nga ana tjetër, njohësit e rrethanave vlerësojnë se për të zhbllokuar procesin eurointegrues duhet të përfshihen më shumë qytetarët dhe elita intelektuale. Profesori universitar Arafat Shabani thekson se procesi ekziston në letër, por nuk reflektohet në jetën reale të qytetarëve.

“Maqedonia është në proces eurointegrues, por duhet të aktivizohet më shumë sfera intelektuale dhe të ndërmerren hapa konkretë. Deri tani duket sikur jemi në proces vetëm formalisht, ndërsa qytetari i zakonshëm nuk e ndjen. Qytetarët duhet të dëgjohen dhe resurset intelektuale të shfrytëzohen më shumë”, u shpreh Shabani për TVM2.

Edhe pse euroskepticizmi në vend nuk është ende dominues, ai po shënon rritje të vazhdueshme. Që nga viti 2020, përqindja e qytetarëve skeptikë është rritur, kryesisht si pasojë e zgjatjes së procesit dhe humbjes së durimit. Sipas sondazheve të fundit, rreth 70 për qind e qytetarëve vazhdojnë ta mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër