Shkup, 2 nëntor, Zhurnal.mk – EVN Maqedoni hapi poligonin e parë për trajnimin e të rinjve elektromontues dhe elektroteknikë në Gostivar. Poligoni është ndërtuar në kuadër të Shkollës së Mesme Teknike Komunale „Gostivar“, si pjesë e projektit për arsimin dual „Mësimi përmes punës“. Poligoni i ri i jashtëm i shton vlerë kabinetit ekzistues të shkollës, i cili është i pajisur me materiale, vegla dhe pajisje moderne për tension të ulët dhe të mesëm, identike me ato që ekipet e Elektrodistribuimit i përdorin çdo ditë në terren.
Përmes mësimit dhe punës në poligon dhe në kabinet, të rinjtë kanë mundësinë të arsimohen dhe të trajnohen sipas standardeve evropiane.
„Si kompani e përkushtuar ndaj modernizimit të rrjetit elektrodistributiv, investimi në kuadro të reja teknike përfaqëson prioritetin tonë strategjik afatgjatë. Poligoni i ri i trajnimit në Gostivar u mundëson nxënësve trajnim praktik në kushte reale dhe në një mjedis të sigurt. Në këtë mënyrë, investojmë drejtpërdrejt në krijimin e kuadrove teknike të kualifikuara, të gatshme për sfidat e energjetikës moderne“, deklaroi z. Sasho Saltirovski, menaxher i Elektrodistribuimit.
“Për zhvillimin e profesionistëve të rinj, njësoj të rëndësishme janë si arsimi cilësor, ashtu edhe mundësitë për zhvillim të vazhdueshëm. Përmes donacionit tonë dëshirojmë t’i ndihmojmë nxënësit të realizojnë potencialin e tyre dhe të përgatiten për një fillim të suksesshëm të karrierës së tyre në sektorin energjetik”, deklaroi z. Fisnik Oseku, Prokurist dhe Udhëheqës i Burimeve Njerëzore dhe Organizimit në EVN Maqedoni.
Bashkëpunimi ndërmjet EVN Maqedonisë dhe SHMTK „Gostivar“ daton që nga viti 2013 dhe zhvillohet vazhdimisht. Në vitin 2019 u hap klasa e parë duale për profilin arsimor trevjeçar „Elektricist – elektromontues i rrjeteve elektrike“, ndërsa nga viti 2025 bashkëpunimi u zgjerua edhe me përfshirjen e nxënësve të profilit arsimor katërvjeçar „Elektroteknik – energjetik“.
„Falë partneritetit me EVN-në, nxënësit tanë kanë mundësi unike t’i zhvillojnë aftësitë e tyre në një poligon modern, me pajisje cilësore, gjë që i bën plotësisht konkurrues në tregun e punës“, tha drejtoresha e SHMTK „Gostivar“, znj. Teuta Minahi.
Përveç trajnimit në shkollë, EVN u mundëson nxënësve të njihen edhe me proceset reale të punës në sektorin energjetik. Deri më tani, 211 nxënës të SHMTK „Gostivar“ kanë realizuar mësimin praktik në qendrat energo të konsumatorëve të Elektrodistribuimit në Gostivar dhe Tetovë, në varësi të vendbanimit të tyre.

