Beograd, 25 tetor Zhurnal.mk – Një kthesë e papritur është regjistruar në platformën online të parashikimeve Polymarket, ku lista e studentëve në Serbi ka kaluar për paksa në epërsi ndaj listës së presidentit Aleksandar Vuçiq, sa i përket mundësive për fitore në zgjedhjet parlamentare.
Sipas të dhënave të platformës, të publikuara më 25 tetor, lista e studentëve vlerësohet me 50 për qind mundësi për fitore, ndërsa lista e Vuçiqit me 49 për qind, raporton IndeksOnline.
Kjo paraqet një ndryshim të madh krahasuar me javët e mëparshme, kur lista e Vuçiqit kishte një epërsi të konsiderueshme.
Në fillim të tetorit, mundësitë e saj për fitore vlerësoheshin rreth 60 deri në 65 për qind, ndërsa ato të listës së studentëve ishin në nivelin 35 deri në 40 për qind.
Në ditët e fundit para zgjedhjeve, vlerësimet për listën e Vuçiqit kishin arritur deri në rreth 70 për qind, por më pas pësuan rënie të ndjeshme.
Në të njëjtën kohë, mundësitë e listës së studentëve u rritën dukshëm, duke e kaluar atë në epërsi minimale
Sondazhet e fundit para zgjedhjeve parlamentare në Serbi tregojnë një garë të fortë mes koalicionit të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe listës së mbështetur nga studentët, me dallime të dukshme mes matjeve të instituteve të ndryshme.
Sipas një sondazhi të Ipsos-it, të publikuar më 22 tetor, lista e Vuçiçit, „Ujedinjena Srbija”, renditet e para me 47.4 për qind të mbështetjes, ndërsa lista e studentëve vlerësohet me 40 për qind.
Ndryshe paraqitet situata në sondazhin e NSPM-së, të publikuar më 20 tetor. Sipas këtij hulumtimi, lista e studentëve kryeson me 44.5 për qind, përpara listës së Vuçiçit, e cila vlerësohet me 42.7 për qind.
Dallimet mes dy sondazheve tregojnë se gara mbetet e hapur dhe se rezultati mund të varet nga pjesëmarrja e qytetarëve në votime, si dhe nga mbështetja që do të marrin listat e tjera politike.
