Londra u kthye në një pikë takimi për fansat e “Star Trek”, të cilët arritën të vendosin një rekord të ri botëror të Guinness-it duke kryer njëkohësisht përshëndetjen ikonike vulkane të serialit.
Ngjarja u zhvillua më 10 shtator, në kuadër të Star Trek Day, në Muzeun e Shkencës në Londër, ku u mblodhën 1,188 fansa për të tentuar thyerjen e rekordit për numrin më të madh të njerëzve që kryejnë njëkohësisht gjestin karakteristik të dorës nga universi “Star Trek”.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Martin Quinn, aktori që interpreton Montgomery Scott në serialin Star Trek: Strange New Worlds, të transmetuar në Paramount+.
Rekordi u konfirmua pasi gjyqtarja e Guinness World Records, Paulina Sapinska, numëroi 934 pjesëmarrës që arritën ta mbanin përshëndetjen vulkane për një minutë të plotë.
Edhe pse përpjekja zgjati vetëm 60 sekonda, atmosfera në muze ishte e mbushur me entuziazëm, transmeton Telegrafi.
“Për një përpjekje që zgjati vetëm një minutë, kishte shumë emocion dhe ishte një moment i madh bashkimi për fansat”, tha Sapinska.
Përshëndetja vulkane, e realizuar duke ndarë gishtat e dorës në formën karakteristike, është bërë një nga simbolet më të njohura të “Star Trek” që prej shfaqjes së saj në serial.
Ngjarja në Londër u zhvillua në kuadër të festimeve për 60-vjetorin e “Star Trek”, duke bashkuar qindra fansa në një prej sfidave më të pazakonta të rekordeve Guinness.
