Fëmijët shqiptarë mes sfidave të stresit dhe varësive

Nga Xh M

Adoleshentët në Shqipëri po përballen me sfida të shumta, nga problemet mendore, te konsumimi i duhanit, alkoolit dhe VAPE-ve si dhe rritja e dhunës, si ajo fizike dhe ajo online.

Të dhënat e fundit, të publikuara në Raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se gati gjysma e vajzave adoleshente dhe një e treta e djemve në Shqipëri përballen me problematika të shumta të shëndetit mendor, duke e kthyer një nga sfidat më të ndjeshme tek të rinjtë.

Sipas të dhënave të OBSH, 47% e vajzave dhe 31% e djemve të moshës 11-15 vjeç raportojnë të paktën një herë në javë shqetësime si dhimbje koke, nervozizëm apo ndjesi mërzitjeje.

Këto shifra janë tregues për nivelin e stresit, presionin social dhe mungesën e mbështetjes psikologjike te të rinjtë.

Ajo që mbetet shqetësuese është konsumimi i alkoolit që në moshë të vogël, ndërkohë që trajektore rritëse po vihet re te format e reja të përdorimit të cigareve elektronike si VAPE. Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth 18% e adoleshentëve në grupmoshën 13-15 vjeç përdorin cigare elektronike, mbi 10% pinë duhan tradicional, ndërsa 19% konsumojnë alkool.

Situata paraqitet kritike, pasi tendenca e përdorimit të substancave po prek moshat gjithmonë e më të reja, duke rritur rrezikun për probleme kronike në të ardhmen. Sipas OBSH, këto shifra pasqyrojnë presionin e lartë social dhe mungesën e strukturave mbështetëse.

Raporti kërkon me urgjencë, më shumë financim për sistemin shëndetësor, mbështetje psikologjike të dedikuar në shkolla dhe komunitete si dhe një kontroll më të rreptë ndaj formave të reja të duhanpirjes.

postime të lidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër

Privacy & Cookies Policy