Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve ka vazhduar aktivitetet për shënimin e festave të nëntorit. Në konferencën e sotme shkencore është shtruar çështja e mësimit të historisë kombëtare nëpërmjet teksteve shkollore. Pjesëmarrësit vlerësuan se librat duhet të jenë të përshtatshëm për nxënësit.
“Qëllimi ynë është vetëm konstatimi i gjendjes së teksteve, por edhe reflektimi mbi to dhe kërkimi i rrugëve për t’i bërë më të përshtatshme, më tërheqëse dhe më të komunikueshme shkollat dhe nxënësit që mësojnë nga këto tekste. Është koha të mendojmë seriozisht për shkollën, për rrugën tonë të vetme të zhvillimit. Uroj që ky kontribut i ynë akademik të jetë një ndihmesë në këtë pikëpamje.”, – deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini.
“Sot kjo trashëgimi na ngarkon me përgjegjësi që të rinjve t’ua përcjellim historinë me saktësi dhe në mënyrë të kuptueshme. Tekstet shkollore luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Ato u formojnë njohuri nxënësve për të kaluarën dhe duhet t’i nxisim që të pyesin, hulumtojnë dhe të mendojnë në mënyrë kritike. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e konferencave të tilla shkencore.”, – theksoi ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani.

