Festivali i Filmit në Kanë ka hapur siparin në rivierën franceze, duke e kthyer sërish Kanën në qendrën botërore të kinemasë, modës dhe industrisë së argëtimit, sipas “Observer”.
Edicioni i 79-të i festivalit nisi zyrtarisht më 12 maj dhe do të zgjasë deri më 23 maj, me premierat më të mëdha ndërkombëtare, tapetin e kuq dhe garën për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në një atmosferë më të qetë se vitet e kaluara, me më pak yje të mëdhenj të Hollivudit në tapetin e kuq dhe me më pak tone politike gjatë mbrëmjes.
Festivali u hap me premierën botërore të filmit “The Electric Kiss” të regjisorit Pierre Salvadori, një dramë e vendosur në Parisin e vitit 1928, që ndjek historinë e një piktori të zhytur në dhimbje pas humbjes së bashkëshortes.
Një nga momentet më të forta të natës ishte nderimi i regjisorit Peter Jackson me çmimin Palma e Artë e Nderit, për kontributin e tij në kinemanë botërore.
Regjisori 64-vjeçar i trilogjisë “The Lord of the Rings” kujtoi se 25 vite më parë prezantoi në Cannes pamjet e para të filmit të tij, në një kohë kur projekti konsiderohej një rrezik i madh.
Më pas trilogjia u kthye në sukses monumental, duke fituar 17 çmime “Academy Awards” dhe duke gjeneruar afro 3 miliardë dollarë në arkëtime globale.
Çmimi u dorëzua nga aktori Elijah Wood, i cili tha se jeta e tij ndryshoi përgjithmonë pasi mori rolin e Frodos.
Juria ndërkombëtare, këtë vit drejtohet nga regjisori koreano-jugor Park Chan-wook, ndërsa pjesë e saj janë edhe emra të njohur si, Demi Moore, Chloé Zhao, Ruth Negga dhe Stellan Skarsgard.
Ata do të vlerësojnë 22 filmat konkurrues për çmimin kryesor.
Mes filmave më të shumëpritur në garë janë “Fatherland” me Sandra Hüller, “Paper Tiger” me Adam Driver dhe Scarlett Johansson, si dhe filmi i ri i Pedro Almodóvar, “Amarga Navidad”.
Në aspektin politik, ceremonia ishte më e rezervuar krahasuar me vitin e kaluar.
Momenti më simbolik erdhi kur Jane Fonda doli në skenë përkrah aktores kineze, Gong Li për të shpallur hapjen e festivalit.
Fonda theksoi fuqinë e kinemasë si formë e rezistencës dhe lirisë krijuese, duke deklaruar se “zërat në ekran, jashtë ekranit dhe në rrugë janë më të rëndësishëm se çdo gjë”.
Përtej shkëlqimit dhe tapetit të kuq, Festivali i Filmit në Kanë mbetet një nga platformat më të rëndësishme globale për industrinë e filmit, ku lindin bashkëpunime të reja dhe nisin marrëveshje të mëdha ndërkombëtare.
Pyetja që tashmë dominon festivalin është: cili nga 22 filmat do të fitojë këtë vit “Palmën e Artë”?
