Shkup, 11 shtator, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut është një shembull pozitiv në zbatimin e praktikave të avancuara të transparencës së bankës qendrore dhe gëzon një nivel të lartë besimi nga publiku, thekson zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, në intervistën e dhënë për publikimin e Bankës Popullore “80 vjet bankë qendrore: Perspektiva globale, bashkëpunimi rajonal dhe sfidat e së ardhmes” (80 Years of Central Banking: Global Perspectives, Regional Cooperation and Future Challenges).
Duke iu referuar rëndësisë së pavarësisë së bankave qendrore në kushtet e sfidave globale, Li thekson se përvoja nga vende të ndryshme tregon se bankat qendrore të pavarura janë në pozitë më të mirë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, për të mbajtur të qëndrueshme pritjet inflacioniste dhe për t’iu përgjigjur me vendosmëri goditjeve ekonomike.
Siç informojnë nga Banka Popullore, Li thekson se pavarësia e bankës qendrore nuk do të thotë se ajo është mbi institucionet demokratike, por se, brenda një mandati ligjor të përcaktuar qartë, ajo ka autonomi për të marrë vendime të bazuara në të dhëna, analiza profesionale dhe vlerësim ekspertësh. Në të njëjtën kohë, pavarësia duhet të shkojë paralelisht me qeverisjen e mirë, transparencën, llogaridhënien dhe komunikimin e qartë me publikun.
Në intervistë, ai i kushton vëmendje të veçantë përvojës së Bankës Popullore. “Rezultatet e shkëlqyera të Maqedonisë së Veriut janë një shembull pozitiv”, thekson Li, duke shtuar se vendi ynë është ndër vendet e para ku është zbatuar një vlerësim sipas Kodit të transparencës së bankave qendrore të FMN-së. Vlerësimi ka treguar se Banka Popullore tashmë zbaton praktika të avancuara të transparencës dhe gëzon një nivel të lartë besimi te publiku.
Sa i përket mënyrës se si ekonomitë më të vogla mund ta ruajnë kredibilitetin institucional në periudha pasigurie, Li veçon disa parakushte kryesore, dhe ato janë mandati i përcaktuar qartë, një kornizë koherente e politikave, autonomia operacionale, konsistenca në marrjen dhe publikimin e vendimeve, si dhe bazat e forta ligjore, qeverisja e mirë, transparenca dhe llogaridhënia.
Li thekson gjithashtu rolin e rëndësishëm të FMN-së në mbështetjen e bankave qendrore të forta dhe të pavarura, përmes këshillave për politikat, ndihmës teknike, zhvillimit të kapaciteteve dhe kërkimit shkencor. Mbështetja përfshin disa fusha, ndër të cilat politikën monetare, qeverisjen institucionale, kuadrin ligjor, menaxhimin e rezervave valutore, mbikëqyrjen, statistikat, komunikimin dhe menaxhimin e rreziqeve.
Intervista me Bo Li është pjesë e publikimit “80 vjet bankë qendrore: Perspektiva globale, bashkëpunimi rajonal dhe sfidat e së ardhmes”, i përgatitur në kuadër të shënimit të jubileut – 80 vjet bankë qendrore në vend. Publikimi është pjesë e një projekti komunikimi që përfshin një seri intervistash tematike me guvernatorë aktualë dhe ish guvernatorë të bankave qendrore, përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të bankave qendrore.
Intervista e plotë është e disponueshme në këtë link: https://www.nbrm.mk/ns-newsarticle-intervju-na-bo-li-zamenik-generalen-direktor-na-megunarodniot-monetaren-fond-nezavisnost-na-centralnata-banka-vo-uslovi-na-globalni-predizvici.nspx
