Tiranë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në mjediset e Kuvendit, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, Genaro Fausto Lozano Valencia.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla thekson se gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Meksikës, si edhe bashkëpunimin në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një vëmendje e veçantë iu kushtua intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës.
Balla vlerësoi potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë me interes të ndërsjellë, veçanërisht në fushën e turizmit. Ai theksoi se vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 5 mijë turistë meksikanë vizituan Shqipërinë, një tregues i interesit në rritje për vendin tonë dhe një bazë e mirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
