Gogu: Reforma në drejtësi në fazë konsolidimi, vlerësime nga KE për vetingun si etapë historike

Nga D. V.
474 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit vlerëson përparimin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, duke evidentuar përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting), uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë dhe nisjen e procesit të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë.

Në një konferencë për shtyp, Gogu tha se raporti përbën një vlerësim të rëndësishëm nga partnerët evropianë.

“Dua ta nis me një vlerësim të sistemit të drejtësisë nga partnerët evropianë. Pak ditë më parë u publikua Raporti për Sundimin e Ligjit për Shqipërinë. Është një instrument që Komisioni Evropian e harton për të gjitha vendet anëtare dhe që tashmë përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat vlerësohen me të njëjtën metodologji si vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Gogu.

Sipas ministrit, mesazhi kryesor i raportit është se reforma në drejtësi po hyn në fazë konsolidimi.

“Shqipëria po konsolidon reformën në drejtësi. Ky është pohimi kryesor i raportit”, u shpreh ai.

Gogu theksoi se raporti vlerëson përfundimin e procesit të vetingut, duke e konsideruar atë etapë historike si konsolidim të pavarësisë dhe të integritetit të sistemit gjyqësor.

Një tjetër element i vlerësuar, sipas tij, është puna e Gjykatës së Lartë në uljen e çështjeve të prapambetura.

“Raporti përsërit se ulja me 60% e backlog-ut në Gjykatën e Lartë është një reduktim serioz dhe një shenjë e mirë për sistemin. Ky model duhet të përsëritet në çdo shkallë të gjyqësorit, në apel dhe në shkallën e parë, dhe i kemi të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë në muajt në vijim”, tha Gogu.

Ministri u ndal edhe te procesi i dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, i cili, sipas tij, do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.

“Raporti njeh nisjen e procesit të dixhitalizimit në të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare, si në sistemin gjyqësor, ashtu edhe në atë prokurorial. Nuk është thjesht modernitet për hir të modernitetit, por do të kemi më pak radhë, më shumë transparencë, më shumë eficiencë në sistemin gjyqësor dhe më pak qytetarë që presin në gjykata”, u shpreh ai.

Sipas Gogut, raporti vlerëson gjithashtu bashkëpunimin ndërinstitucional mes institucioneve të drejtësisë, ku Ministria e Drejtësisë ka rol koordinues.

Ministri theksoi se raporti evidenton edhe disa sfida që kërkojnë adresim në vijim.

“Raporti ka edhe disa gjetje që janë sfiduese për sistemin e drejtësisë, siç janë vonesat në proceset e vlerësimit. Procedurat e vlerësimit duhet të përshpejtohen, vakancat në sistem duhet të plotësohen sa më parë, lufta kundër korrupsionit duhet të fuqizohet edhe më tej dhe besimi i qytetarëve te drejtësia duhet të rritet edhe më shumë”, theksoi Gogu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër