Imazhi është realizuar në vitin 1977, kur Shiroka-Pula ishte vetëm 23 vjeçe
Një fotografi e hershme e presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, është rikthyer në vëmendjen e publikut pas zgjedhjes së saj në krye të shtetit dhe betimit para Kuvendit të Kosovës.
Imazhi është realizuar në vitin 1977, në një nga ditët më të rëndësishme të jetës së saj, atë të martesës, kur Shiroka-Pula ishte vetëm 23 vjeçe.
Fotografia, e cila ishte ruajtur në arkivin e saj personal, u publikua më shumë se një dekadë më parë nga revista “Teuta”, në kuadër të një interviste ku ajo kishte rrëfyer kujtime nga martesa dhe kishte ndarë me lexuesit disa detaje të ceremonisë.
Në fotografinë e rrallë, Justina shihet e veshur si nuse, krah bashkëshortit të saj, Blerimit, ndërsa pranë tyre janë edhe prindërit e dy familjeve.
Në atë kohë, ajo kishte kujtuar me nostalgji ditën e martesës, duke veçuar mënyrën e veçantë se si ishte organizuar dasma. Sipas rrëfimit të saj, familjet Shiroka dhe Pula kishin zgjedhur të organizonin një dasmë të përbashkët, një praktikë që e bënte ceremoninë të veçantë për kohën.
“Aktualisht janë duke u organizuar shumë dasma të bukura dhe madhështore, mirëpo në kohën kur unë jam martuar, dasma jonë ishte më e veçantë se dasmat e tjera, pasi para 40 vjetësh, dy familjet, Shiroka–Pula, kemi organizuar dasmë të përbashkët, për ç’gjë u jemi mirënjohës familjeve tona”, kishte deklaruar ajo për revistën “Teuta”.
Sot, gati pesë dekada pas asaj fotografie, Justina Shiroka-Pula rikthehet në vëmendjen publike në një tjetër rol. Pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik, ajo u zgjodh presidente e re e Kosovës dhe më pas dha betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

