Frontex: Rënie e kalimeve të paligjshme, por rritje e viktimave në Mesdhe

Nga D. V.
175 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 17 prill, Zhurnal.mk – Numri i kalimeve të parregullta të migrantëve në kufijtë e Bashkimit Europian ka rënë me afro 40% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, njoftoi sot “Frontex”.

Sipas agjencisë evropiane të kufijve, kushtet e këqija të motit në rrugët kryesore migratore drejt BE-së janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rënie të ndjeshme.

Gjatë tre muajve të parë të vitit, u regjistruan pak më shumë se 21 400 kalime, një rënie prej 39% në baza vjetore.

Megjithatë, pavarësisht uljes së numrit të kalimeve, “kostoja njerëzore” vazhdon të rritet.

Duke cituar të dhëna nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin,” Frontex” thekson se rreth 1 000 persona kanë humbur jetën në Mesdhe që nga fillimi i vitit, shumë prej tyre për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Mesdheu Lindor mbetet rruga më e frekuentuar, duke përbërë rreth një të tretën e të gjitha hyrjeve të paligjshme në BE.

Ndërkohë, rruga e Afrikës Perëndimore ka shënuar rënien më të madhe, me një ulje prej 83%.

Në kufijtë tokësorë lindorë të Evropës është regjistruar një rënie prej 58%, ndërsa rruga e Mesdheut perëndimor është e vetmja që ka shënuar rritje, me 66%.

Përpjekjet për të kaluar La Manshin drejt Britanisë së Madhe kanë rënë me 41%, duke arritur në rreth 6 600 raste. “Frontex” paralajmëron se situata në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë zhvendosje të reja të popullsisë në muajt e ardhshëm, edhe pse deri tani nuk është vërejtur ndikim i madh në kufijtë e BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër