Komisioni parlamentar për Ekonominë ka nisur zyrtarisht procedurat për plotësimin e tri vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, komisioni zhvilloi sot seancën e parë dëgjimore me kandidatët e vetëofruar për këto pozicione të rëndësishme.
Për shkak të interesit të lartë, ku në total janë depozituar 20 kandidatura, Komisioni ka vendosur që procesi i dëgjesave të ndahet në dy ditë.
Gjatë mbledhjes së sotme, para deputetëve u paraqitën 9 kandidatë: Adela Karapici, Saimir Muçmataj, Arben Zibri, Matilda Shehu, Eni Xheko, Emis Çerava, Erjona Bejleri, Fatmira Kola dhe Aleksandër Çavo. Ata shpalosën vizionin e tyre për rolin e Këshillit Mbikëqyrës dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve lidhur me eksperiencat e tyre profesionale.
Nga lista e parashikuar për ditën e sotme, kandidatja Frosela Filo nuk u paraqit në dëgjesë.
Kryetarja e Komisionit, Milva Ekonomi, njoftoi se procesi do të vijojë në mbledhjen e radhës, ku do të dëgjohen kandidatët e mbetur, para se të merret vendimi për emrat që do t’i përcillen Kuvendit për votim.

