Garë mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së se kush ishte me Vuçiqin?

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Zgjedhjet e fundit në Serbi dhe rënia politike e Aleksandar Vuçiqit kanë nxitur një përplasje të ashpër verbale mes dy partive kryesore në Maqedoninë e Veriut, LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, të cilat po përdorin zhvillimet në Beograd për të goditur njëra-tjetrën. Përmes deklaratave për media dhe komunikatave zyrtare, të dyja taboret politike i kanë faturuar kundërshtarit lidhjet direkte me regjimin e rrëzuar serb, duke e kthyer ngjarjen rajonale në një betejë të drejtpërdrejtë për pushtet në Shkup.

LSDM ka reaguar përmes zëdhënëses Bogdanka Kuzeska, e cila deklaroi se fitorja e forcave të reja në Serbi shënon fillimin e çmontimit të asaj që ajo e quajti “oktapod kriminal ballkanik”. Nga opozita pretendojnë se hetimet e ardhshme në Beograd do të nxjerrin në dritë lidhjet financiare, tregtare dhe mediatike të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-së me Serbinë. Kuzeska përmendi hyrjen e “Alta Bankës”, tenderët në energjetikë, kredinë kineze dhe përdorimin e fermave të troll-eve e platformave mediatike serbe për të zhvilluar fushata të zeza kundër opozitës maqedonase, duke e cilësuar pushtetin aktual si një strukturë që ka kopjuar modelin e kontrollit të Vuçiqit.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i ka hedhur poshtë këto akuza, duke rikujtuar se rënia e pushteteve të tilla ka nisur pikërisht me vetë LSDM-në. Nga partia në pushtet theksuan se ish-kryeministrat dhe zyrtarët e LSDM-së, përfshirë Venko Filipçen dhe Zoran Zaevin, kishin marrëdhënie të afërta me Vuçiqin, duke përmendur marrëveshjet politike, takimet shtetërore dhe videot nga festat private. VMRO-DPMNE vlerësoi se tentativa e sotme e LSDM-së për t’u paraqitur si kritikuese e Beogradit është e pasqertë dhe se opozita po përpiqet të mbulojë humbjet e veta elektorale në vend.

Kjo përplasje e re tregon se efekti domino i ndryshimeve politike në Serbi ka prekur thellësisht diskursin politik në Shkup, ku si pushteti ashtu edhe opozita po kërkojnë të shfrytëzojnë zhvillimet rajonale për të konsoliduar pozicionet e tyre përballë qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër