Gati 30 për qind e patentave të zhvilluara në Gjermani tani kontrollohen nga kompani të huaja

Nga Xh M
718 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 4 qershor Zhurnal.mk – Pothuajse 30 për qind e patentave me rëndësi ndërkombëtare të zhvilluara në Gjermani midis viteve 2000 dhe 2022 tani janë në pronësi të kompanive të kontrolluara nga të huajt, transmeton Anadolu.

Sipas një studimi të kryer së fundmi, me titull “Pozicioni industrial i së ardhmes: Analizë e patentave dhe kërkimit të industrisë gjermane”, u përgatit nga Instituti Ekonomik Gjerman (IW) për Fondacionin Bertelsmann.

Studimi tregon se pozicioni i Gjermanisë në tregun global të teknologjisë është dobësuar, pasi shpikjet kritike të zhvilluara në vend kanë kaluar gjithnjë e më shumë në pronësi të huaj përmes blerjeve dhe bashkimeve korporative.

Në studim thuhet se nga 189.000 patenta me rëndësi ndërkombëtare të regjistruara nga kompanitë gjermane midis viteve 2000 dhe 2022, rreth 29 për qind tani kontrollohen nga firma të huaja.

Pronësia amerikane kontrollon pothuajse një të tretën e patentave që kanë kaluar në duar të huaja, ndërsa Zvicra përbën rreth 11 për qind.

Kina, e cila në fillim të viteve 2000 kishte një pjesë thuajse të papërfillshme, ka marrë në pronësi më shumë se 11.300 patenta të zhvilluara në Gjermani gjatë dy dekadave të fundit, kryesisht përmes blerjeve të kompanive gjermane, përfshirë edhe nga ndërmarrje shtetërore.

Ndikimi i huaj dhe lëvizshmëria e patentave u vunë re më së shumti në sektorin e inxhinierisë mekanike, ku aplikimet për patenta u rritën nga rreth 3.300 në vitin 2000 në 4.300 në vitin 2022.

Pavarësisht rritjes së aplikimeve, studimi thekson se inxhinieria mekanike është bërë një nga sektorët strategjikë ku kompanitë kineze kanë fituar terren të fortë përmes blerjeve.

Një nga shembujt më të njohur ishte blerja në vitin 2016 e prodhuesit të robotëve industrialë me bazë në Augsburg nga grupi kinez Midea.

Pjesa e Gjermanisë në aplikimet globale ndërkufitare për patenta ra në 15 për qind në vitin 2022, nga rreth 22 për qind në vitin 2000.

Rënia u lidh kryesisht me shpenzimet e pamjaftueshme për kërkim dhe zhvillim. Gjermania renditej e treta në botë për shpenzime R&D në vitin 2000, me një buxhet dy herë më të madh se ai i Kinës, por ra në vendin e gjashtë deri në vitin 2021.

Kina, për krahasim, i rriti shpenzimet për R&D 20 herë gjatë së njëjtës periudhë.

Oliver Koppel, një nga autorët e studimit, tha se është normale që kompanitë gjermane të zotërojnë patenta jashtë vendit si pjesë e konkurrencës globale.

“Megjithatë, Pekini drejton blerjet e kompanive perëndimore në përputhje me interesa gjeostrategjike, ndërsa mban tregun e vet kryesisht të mbyllur për investitorët e huaj përmes listave negative, rishikimeve të sigurisë dhe politikave proteksioniste. Kjo krijon një çekuilibër serioz”, tha Koppel.

Ai shtoi se Evropa duhet të shqyrtojë shumë më nga afër se në cilat vende po transferohen teknologjitë strategjike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër