Shkup, 16 prill Zhurnal.mk – Ish-kryeministri Ljubço Georgievski ka reaguar me një qëndrim kritik lidhur me debatin për identitetin dhe ndikimet historike në Maqedoni, duke thënë se lufta kundër bullgarizimit po merr edhe përmasa ironike.
Sipas tij, situata bëhet “komike” kur serbët i quajnë figura historike si Goce Dellçev dhe Dame Gruev “agjentë bullgarë”, apo kur VMRO-ja cilësohet si organizatë terroriste bullgare.
Ai thekson se raste të tilla janë përsëritur edhe në terren, ku – sipas tij – në zona të ndryshme brenda Maqedonisë, përfshirë së fundmi Vallandovën dhe më herët rajonin e Ohrit, përdoren etiketime si “bllok bullgar” apo “zona bullgarofile”, sidomos gjatë manifestimeve që lidhen me përkujtimin e “çlirimit të Serbisë së Vjetër”.
Georgievski kritikon ashpër mungesën e reagimit nga, siç i quan ai, “patriotët e rremë maqedonas”, duke thënë se askush nuk po reagon ndaj këtyre deklaratave.
Në fund, ai shton se kjo situatë tregon një dobësi të brendshme, duke paralajmëruar se “bullgarizimi mund të vijë përmes Serbisë”, si një proces indirekt që shfrytëzon këtë boshllëk reagimi.
