Çmimet e banesave në Shkup janë të palogjikshme, metri katror ka kaluar 2 mijë euro

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, vlerëson se çmimet e banesave në kryeqytetin e Maqedonisë janë tepër të larta dhe se shtrenjtimi i pronave të paluajtshme nuk është plotësisht i arsyeshëm.

Në një intervistë në emisionin “Klik Plus” në TV21, Gjorgjievski tha se edhe vetë e ka ndjerë rritjen e madhe të çmimeve në tregun e patundshmërive.

Ai përmendi si shembull banesën që kishte blerë në Kisella Vodë, ku në atë kohë një metër katror kushtonte afër 1.000 euro, ndërsa sot çmimi ka kaluar 2.000 euro.

“Çmimet, të jem i sinqertë, personalisht më duken të palogjikshme në qytetin e Shkupit. Kur bleva banesë në Kisella Vodë, metri katror ishte afër 1.000 euro, ndërsa tani është mbi 2.000 euro”, deklaroi Gjorgjievski.

Ai tha se i kupton arsyet që kanë ndikuar në rritjen e kostove në sektorin e ndërtimtarisë, përfshirë çmimet e materialeve ndërtimore, karburantit dhe fuqisë punëtore, megjithatë vlerëson se çmimet aktuale të banesave janë tepër të larta.

Sipas tij, një shtrenjtim i mëtejmë do të ishte vështirë i pranueshëm, veçanërisht në kohën kur shteti po përpiqet t’i mbështesë çiftet e reja që synojnë të sigurojnë një kulm mbi kokë dhe të krijojnë familje.

Kryetari i Shkupit shprehu pritjen që kompanitë ndërtimore të mos ndërmarrin hapa që do ta neutralizonin efektin e masave shtetërore për mbështetjen e çifteve të reja.

Ai theksoi se përveç mbështetjes së institucioneve, nevojitet edhe përgjegjësi nga sektori i ndërtimtarisë.

“Duhet që shteti të ofrojë ndihmë, por edhe kompanitë ndërtimore. Çdo fillim është i vështirë”, u shpreh Gjorgjievski.

artikuj të ndërlidhura