Berlin, 27 gusht, Zhurnal.mk – Gjermania, Danimarka, Holanda, Austria, Finlanda dhe Suedia, gjashtë vende të BE-së, që kontribuojnë më shumë në buxhetin e Unionit sesa marrin prej tij, kërkojnë që buxheti i BE-së për vitet 2028–2034 të shkurtohet me qindra miliardë euro, raportoi “Reuters”.
Komisioni Evropian ka propozuar një buxhet prej rreth 2 trilionë eurosh për periudhën 2028–2034.
Gjashtë vendet kërkojnë që ky buxhet të shkurtohet në mënyrë të balancuar, duke ulur shpenzimet në të gjitha fushat.
Kërkesa u bë përmes një deklarate të përbashkët, pas një takimi të liderëve të këtyre vendeve në Berlin, në një kohë kur negociatat për buxhetin kanë hyrë në një fazë vendimtare.
Gjermania kërkoi më herët, një shkurtim prej rreth 400 miliardë eurosh, duke argumentuar se plani aktual është shumë i kushtueshëm.
Megjithatë, gjashtë vendet thonë se BE-ja duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, konkurrueshmërinë ekonomike, menaxhimin e migracionit dhe forcimin e pavarësisë së BE-së.
Ato kundërshtojnë gjithashtu që BE-ja të marrë borxh të ri të përbashkët, duke thënë se kjo nuk është zgjidhja për problemet buxhetore.
Gjithashtu, vendet kërkuan që fondet e BE-së të lidhen më shumë me respektimin e shtetit të së drejtës dhe që institucionet e BE-së të përballojnë punën me numrin aktual të punonjësve, pa shtuar personelin.
Buxheti afatgjatë i BE-së, i njohur si Kuadri Financiar Shumëvjeçar (MFF), duhet të miratohet njëzëri nga të 27 vendet anëtare.
