Berlin, 27 gusht, Zhurnal.mk – Rreth 15 800 persona kanë humbur jetën nga temperaturat e larta në Gjermani deri në mesin e gushtit të këtij viti, sipas vlerësimeve të publikuara të nga Instituti Robert Koch (RKI).
Nga këto vdekje, rreth 9 600 lidhen me valën ekstreme të të nxehtit, në fund të qershorit.
Sipas raportit të fundit javor të RKI-së, rreth 4 000 vdekje të tjera janë lidhur me temperaturat veçanërisht të larta, gjatë dy javëve të para të gushtit.
Raporti mbulon periudhën nga 6 prilli deri më 16 gusht.
Shifra e këtij viti është dukshëm më e lartë se në cilindo prej të paktën 10 viteve të fundit.
Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar në 2019, me rreth 7 600 vdekje, ndërsa në vitin 2018 u regjistruan rreth 9 500.
RKI thekson se këto janë vlerësime konservatore, ndaj numri real i viktimave nga i nxehti mund të jetë edhe më i lartë.
Uwe Janssens, drejtues mjekësor i Shoqatës Gjermane Ndërdisiplinore për Mjekësinë e Reanimacionit dhe Urgjencës (DIVI), tha se shumë raste nuk regjistrohen zyrtarisht si vdekje të shkaktuara nga i nxehti.
Në certifikatat e vdekjes, për shembull, mund të shënohet dështimi i organeve si shkak i vdekjes.
Sipas RKI-së, në disa raste i nxehti shkakton drejtpërdrejt vdekjen, si në rastet e goditjes nga nxehtësia.
Megjithatë, në shumicën e rasteve, temperaturat e larta përkeqësojnë sëmundje dhe probleme të tjera shëndetësore që personat kanë pasur më parë.
Më shumë se gjysma e viktimave këtë vit, rreth 7 960 persona, ishin 85 vjeç e lart.
Rreth 3 900 prej tyre ishin 75–84 vjeç, rreth 2 440 ishin 65–74 vjeç, ndërsa rreth 1 470 viktima ishin nën 65 vjeç.
