Bruksel, 5 nëntor, Zhurnal.mk – Ukraina ka marrë 4,36 miliardë euro të tjera ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian, në kuadër të paketës së huasë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për periudhën 2026-2027, njoftoi sot Komisioni Evropian.
“Ndërsa Rusia vijon sulmet e pandërprera, Ukraina po përgatitet të hyjë në dimrin e pestë të luftës. Përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën vazhdojnë, ashtu si edhe mbështetja e palëkundur e BE-së”, deklaroi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Nga shuma e disbursuar, 3,7 miliardë euro do të përdoren për mbështetjen e buxhetit të Ukrainës, ndërsa 658 milionë euro do të shërbejnë për financimin e blerjeve të pajisjeve ushtarake”, bëri të ditur Komisioni Evropian.
Pas disbursimit të ndihmës së sotme, Ukrainës i mbeten në dispozicion edhe 20,9 miliardë euro nga kjo hua mbështetëse për këtë vit.
Për vitin e ardhshëm janë parashikuar edhe 45 miliardë euro të tjera.
Pavarësisht angazhimeve financiare të BE-së, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha liderëve evropianë në tetor, se vendit i nevojiteshin edhe 70 miliardë euro gjatë vitit 2027 për mbrojtjen, armatimet dhe forcimin e qëndrueshmërisë së tij përballë luftës.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi më herët se liderët e BE-së, do të diskutojnë mundësinë e dhënies së ndihmës shtesë për Kievin në takimet e ardhshme.
Samiti i radhës i liderëve evropianë është planifikuar të mbahet javën e ardhshme, në Dublin.
