Shkup, 7 tetor, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese nuk e ka pranuar iniciativën e paraqitur nga Skender Rexhepi për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Rregullores për mënyrën e mbajtjes, formën dhe përmbajtjen e evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, të miratuar më 13 shkurt 2026. Në iniciativë, Rexhepi pretendonte se Rregullorja nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi akti nënligjor ishte publikuar vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, ndërsa nuk ishte publikuar edhe në gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve, përkatësisht në gjuhën shqipe. Në Iniciativë thuhet se Ligji për përdorimin e gjuhëve përcakton se ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e institucioneve përkatëse, kur publikohen në Gazetën Zyrtare, duhet të publikohen në të dyja gjuhët.
“Gjykata Kushtetuese është kompetente të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve, si dhe kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e akteve të tjera dhe akteve të përgjithshme, por jo të vlerësojë nëse ato janë zbatuar drejt apo gabim nga organet kompetente. Çështja nëse një dispozitë ligjore është zbatuar ose interpretuar drejt, në një rast konkret nuk përbën çështje të kontrollit normativ për të cilën është kompetente Gjykata Kushtetuese.”.
Rregullorja është kontestuar pasi është publikuar në Gazetën Zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase. Gjatë ditë se djeshme, sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, tha se Kushtetuta si akti më i lartë juridik, Ligji për përdorimin e gjuhëve si ligj special për përdorimin e gjuhëve, si dhe Ligji për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, që të gjithë parashohin obligim zyrtar të institucioneve, “ex officio”, që të gjitha aktet që publikohen në Gazetën Zyrtare, të publikohen në dy gjuhë. Ndërkohë këtyre akuzave iu është përgjigjur deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, e cila tha se gjuha shqipe nuk është prekur dhe nuk do të preket, ndërsa akuzoi opozitën se po tenton të krijojë kriza artificiale.
