Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Supremes për tregun e lirë të energjisë

Nga D. V.
406 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 maj, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI322/25, të parashtruar nga Fidan Muhaxhiri Biznes individual, duke konstatuar shkelje të së drejtës për qasje në gjykatë dhe duke shpallur të pavlefshëm një vendim të Gjykatës Supreme lidhur me tregun e lirë të energjisë elektrike.

Në vendimin unanim, Kushtetuesja ka vendosur: ta shpallë kërkesën të pranueshme, të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të anulojë Aktvendimin e Gjykatës Supreme [P.A. nr. 24/2025] të 15 shtatorit 2025 dhe ta kthejë çështjen për rivendosje në Supreme.

Rasti lidhet me padinë e biznesit kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes së cilës ishte kërkuar shfuqizimi i Udhëzuesit për daljen e konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike (UEE).

Parashtruesi kishte pretenduar se UEE-ja kishte devijuar nga dispozitat e Ligjit për Energji Elektrike, duke e detyruar biznesin të largohej nga shërbimi universal i furnizimit me energji dhe të kalonte në tregun e lirë.

Gjykata Supreme e kishte hedhur poshtë padinë si të palejueshme, me arsyetimin se udhëzuesi i kontestuar kishte vetëm karakter informativ dhe nuk përbënte normë juridike.

Megjithatë, Kushtetuesja vlerësoi se Supreme nuk kishte shqyrtuar nëse përmbajtja e UEE-së “shtrembëronte” nenin 37.2 të Ligjit për Energji Elektrike, i cili përcakton kriteret për furnizim universal me energji.

Sipas parashtruesit, ligji mjafton të plotësohet vetëm njëri nga kriteret – qarkullimi vjetor deri në 10 milionë euro ose jo më shumë se 50 punonjës – për të gëzuar të drejtën e furnizimit universal. Ndërsa UEE-ja, sipas tij, kishte interpretuar se tejkalimi i vetëm njërit kriter mjafton për dalje në tregun e lirë.

Gjykata Kushtetuese theksoi se gjatë vlerësimit të rasteve të tilla nuk duhet të merret parasysh vetëm emërtimi formal i aktit, por edhe përmbajtja dhe efektet juridike që ai prodhon.

Në aktgjykim thuhet se mosshqyrtimi i padisë nga Gjykata Supreme paraqet “formalizëm të skajshëm” në interpretimin e ligjit dhe mosvlerësim të pasojave reale ekonomike që udhëzuesi ka shkaktuar për biznesin.

Për rrjedhojë, Kushtetuesja konstatoi se parashtruesit i ishte cenuar e drejta për qasje në gjykatë dhe urdhëroi që çështja të rikthehet për rivendosje në Gjykatën Supreme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër