Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Nga D. V.
479 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 prill – Zhurnal.mk – Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër